Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 40:1-11

Isaia 40:1-11 ALBB

"Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim, thotë Perëndia juaj. I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij". Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: "Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë. Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vendet e vështira të sheshuar. Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur". Një zë thotë: "Bërtit!", dhe përgjigja që merr është: "Çfarë të bërtas?". "Bërtit që çdo qenie është si bari, dhe që tërë hiri i tij është si lulja e fushës Bari thahet, lulja fishket, kur Fryma e Zotit fryn mbi të; me siguri populli nuk është veçse bar. Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë". O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jeruzalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: "Ky është Perëndia juaj!". Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend. Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t'i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t'i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Isaia 40:1-11