Isaia 1:10-20
Isaia 1:10-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o prijës të Sodomës! Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë ZOTI: jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh e me dhjamë bagëtish të majme. Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më. Kur vini të paraqiteni para meje, kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia? Mos sillni më fli të kota, temjanin e kam neveri, hënat e reja, të shtunat e të kremtet, kuvendet e paudhësitë nuk i përtyp dot. Hënat e reja e të kremtet tuaja i urrej me gjithë shpirt, më janë bërë barrë e nuk i duroj dot. Kur i shtrini duart drejt meje, unë i largoj sytë prej jush, edhe kur luteni gjatë e gjatë, as që ju dëgjoj, se duart i keni tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja, reshtni së bëri të keqen! Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, jepini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e të vesë. Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë ZOTI. Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe, do të bëhen të bardha si dëbora, edhe po të jetë të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi. Nëse doni të më dëgjoni, do të hani të mirat e tokës, por nëse nuk pranoni e krye ngrini, do t'ju përpijë shpata. Kështu ka thënë goja e ZOTIT.
Isaia 1:10-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, vërini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! "Ç'më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga holokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej. Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia? Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t'i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta. Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar. Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve. Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi. Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit; por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t'ju përpijë shpata", sepse goja e Zotit ka folur.