Dëgjojeni fjalën e ZOTIT,
o prijës të Sodomës!
Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë,
o popull i Gomorrës!
Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë ZOTI:
jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh
e me dhjamë bagëtish të majme.
Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më.
Kur vini të paraqiteni para meje,
kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia?
Mos sillni më fli të kota,
temjanin e kam neveri,
hënat e reja, të shtunat e të kremtet,
kuvendet e paudhësitë
nuk i përtyp dot.
Hënat e reja e të kremtet tuaja
i urrej me gjithë shpirt,
më janë bërë barrë
e nuk i duroj dot.
Kur i shtrini duart drejt meje,
unë i largoj sytë prej jush,
edhe kur luteni gjatë e gjatë,
as që ju dëgjoj,
se duart i keni tërë gjak.
Lahuni, pastrohuni,
hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja,
reshtni së bëri të keqen!
Mësoni të bëni të mirën,
kërkoni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurin,
jepini drejtësi jetimit,
mbroni çështjen e të vesë.
Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë ZOTI.
Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe,
do të bëhen të bardha si dëbora,
edhe po të jetë të kuqe si purpuri,
do të bëhen porsi leshi.
Nëse doni të më dëgjoni,
do të hani të mirat e tokës,
por nëse nuk pranoni e krye ngrini,
do t'ju përpijë shpata.
Kështu ka thënë goja e ZOTIT.