Osea 14:1-7
Osea 14:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Samaria është fajtore, se ngriti krye kundër Perëndisë së vet, ndaj prej shpatës do të bien, të vegjlit do t'u theren, shtatzënave barku do t'u çahet. Kthehu, o Izrael, te ZOTI, Perëndia yt, se për fajin tënd u pengove. Kthehu te ZOTI, bashkë me fjalët e tua. Thuaji atij: “Fale tërë fajin, të mirën pranoje e ne do të kushtojmë frytin e buzëve tona. Asiria nuk do të na shpëtojë, kuajve nuk do t'u grahim. Nuk do t'i quajmë perëndi veprat e duarve tona, se në ty bonjaku gjen mëshirë”. Do ta shëroj pabesnikërinë e tyre, do t'i dua me gjithë zemër, se zemërimi kundër tyre m'u fashit. Vesë do të jem për Izraelin, si zambaku ai do të lulëzojë, rrënjët thellë do t'i hedhë porsi pemët e Libanit. Filiza do të nxjerrë, lavdia e tij do të jetë si ajo e ullirit e do të kundërmojë si Libani.
Osea 14:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
O Izrael, kthehu tek Zoti, Perëndia yt, sepse ke rënë poshtë për shkak të paudhësisë sate. Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: "Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona. Asiria nuk do të na shpëtojë, nuk do të hipim më mbi kuaj dhe nuk do t'i themi më veprës së duarve tona: "Ti je perëndia ynë", sepse pranë teje jetimi gjen dhembshuri". "Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t'i dua shumë, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre. Do të jem si vesa për Izraelin; dhe ai do të lulëzojë si zambaku dhe do t'i zgjatë rrënjët e tij në thellësi si cedrat e Libanit. Degët e tij do të zgjaten, bukuria e tij do të jetë si ajo e ullirit, aroma e tij do të jetë si ajo e Libanit. Ata që jetojnë në hijen e tij do të kthehen dhe do të rigjallërohen si gruri, do të lulëzojnë si hardhia dhe do të jenë të famshëm si vera e Libanit.