Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 7:11-28

Hebrenjve 7:11-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç'nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhrit të Melkisedekut e jo sipas urdhrit të Aronit? Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit. Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit. Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë. Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun, i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s'ka fund. Sepse dëshmohet se ti je prift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut. Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm. Ligji nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë. Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim. Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha: Zoti u betua e nuk do të pendohet. Ti je prift në amshim . Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë. Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë, ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme. Prandaj ai mund t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta. I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt. Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri një herë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim. Ligji vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim.

Hebrenjve 7:11-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse, po të ishte përkryerja me anë të priftërisë levitike (sepse populli e mori ligji nën atë), ç'nevojë kishte të dilte një prift tjetër sipas rendit të Melkisedekut dhe të mos caktohet sipas rendit të Aaronit? Sepse, po të ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe ligji. Sepse ai për të cilin bëhet fjalë i përket një fisi tjetër, prej të cilit askush nuk i ka shërbyer ndonjëherë altarit; sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë. Dhe kjo bëhet edhe më e qartë, në qoftë se del një prift tjetër pas shëmbëllimit të Melkisedekut, që nuk u bë i tillë në bazë të ligjit të porosisë së mishit, po në bazë të fuqisë të jetës së pashkatërrueshme. Sepse Shkrimi dëshmon: ''Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut''. Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij, sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë. Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim, (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: ''Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut''). Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë. Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin përgjithnjë, kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme, prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej, i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten. Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.