Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç'nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhrit të Melkisedekut e jo sipas urdhrit të Aronit? Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.
Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit. Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë. Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun, i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s'ka fund. Sepse dëshmohet se
ti je prift në amshim
sipas urdhrit të Melkisedekut.
Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm. Ligji nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.
Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim. Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha:
Zoti u betua
e nuk do të pendohet.
Ti je prift në amshim .
Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë. Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë, ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme. Prandaj ai mund t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.
I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt. Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri një herë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim. Ligji vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim.