Hebrenjve 10:19-39
Hebrenjve 10:19-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vëllezër, gjaku i Jezuit na jep guxim për të hyrë në shenjtërore përmes udhës së re e të gjallë që na hapi Krishti me anë të velit që është trupi i tij. Ai është prift i madh në krye të shtëpisë së Perëndisë. Le të hyjmë, pra, atje me zemër të çiltër e me besim të sigurt, me zemër të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. Le ta mbajmë të patundur pohimin e shpresës, sepse ai që na premtoi është besnik. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke e nxitur për dashuri e për vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit së bashku, siç e kanë bërë zakon disa. Përkundrazi, le të nxisim njëri-tjetrin më shumë tani që shihni se po afron Dita e Zotit. Nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohuritë e së vërtetës, atëherë nuk ka më asnjë flijim për mëkatet. Përkundrazi, na pret gjykimi i tmerrshëm dhe zjarri i ndezur që përpijnë kundërshtarët. Nëse dikush shkel ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve. A e merrni me mend se ç'dënim më të madh do të meritojë ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë, që e ka parë si të pavlerë gjakun e besëlidhjes, me të cilin u shenjtërua, dhe që ka sharë Shpirtin e hirit? Sepse ne e njohim atë që ka thënë: « shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim ». Si dhe: « Zoti gjykon popullin e tij ». Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë. Sillini ndër mend ditët e shkuara! Atëherë, pasi u ndriçuat, ju duruat me shumë mundime një luftë të madhe, herë të përqeshur dhe të munduar botërisht, herë duke marrë pjesë në vuajtjet e atyre që trajtoheshin kështu. Ju keni vuajtur bashkë me të burgosurit dhe kur ju kanë rrëmbyer pasuritë, keni duruar me gëzim, sepse e keni ditur se keni një pasuri më të madhe dhe të qëndrueshme. Mos e humbisni, pra, guximin tuaj! Ai ka shpërblim të madh. Keni nevojë për durim që të bëni vullnetin e Perëndisë e të fitoni premtimin. Sepse edhe pak kohë, vetëm pak, e do të vijë ai, që duhet të vijë, e nuk do të vonohet. I drejti im do të jetojë prej besimit, por nëse zmbrapset, shpirti im nuk do të kënaqet me të. Ne nuk jemi nga ata që zmbrapsen e humbasin, por nga ata që besojnë dhe shpëtojnë shpirtin.
Hebrenjve 10:19-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij, edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, le t'i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar. Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi. Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet. Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët. Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve. Ç'dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit? Sepse ne e dimë atë që ka thënë: ''Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin'', thotë Perëndia. Dhe përsëri: ''Perëndia do të gjykojë popullin e vet''. Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë. Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh, herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë. Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t'ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej. Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh. Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara. ''Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë. Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por në qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të''. Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.