Hebrenjve 10
10
1Sepse ligji, duke pasur hijen e të mirave që kishin për të ardhur dhe jo figurën vetë të gjërave, nuk mundet kurrë që t'i bëjë të përkryer ata që i afrohen Perëndisë me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit.
2Sepse përndryshe do të kishin pushuar t'i ofronin, sepse ata që e ushtrojnë kultin, si të pastroheshin një herë, a nuk do të kishin më asnjë vetëdije për mëkatet?
3Por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve,
4sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet.
5Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: ''Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup;
6ti nuk pëlqeve as holokauste as flijimet për mëkatin.
7Atëherë unë thashë: "Ja, unë po vij; në rrotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd"''.
8Mbasi tha: ''Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as holokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit'',
9ai shtoi: ''Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd''. Ai heq të parën, që të vërë të dytën.
10Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë.
11Dhe ndërsa çdo prift rri përditë në këmbë duke shërbyer dhe duke blatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet,
12ai, përkundrazi, pasi dha përgjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë,
13duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t'i vihen si ndenjëse për këmbët e tij.
14Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen.
15Por edhe Fryma e Shenjtë na e dëshmon; sepse, mbasi pat thënë më parë:
16''Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t'i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t'i shkruaj në mendjet e tyre'',
17shton: ''Dhe nuk do t'i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre''.
18Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin.
19Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit,
20me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij,
21edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë,
22le t'i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar.
23Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi.
24Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,
25pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.
26Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet,
27por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.
28Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve.
29Ç'dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?
30Sepse ne e dimë atë që ka thënë: ''Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin'', thotë Perëndia. Dhe përsëri: ''Perëndia do të gjykojë popullin e vet''.
31Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.
32Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh,
33herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.
34Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t'ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.
35Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.
36Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.
37''Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë.
38Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por në qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të''.
39Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Hebrenjve 10: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr