Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 10:1-18

Hebrenjve 10:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Meqenëse ligji përmban vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo pamjen e tyre të vërtetë, ai nuk mund t'i përsosë kurrë ata që vazhdimisht vijnë të kushtojnë të njëjtat flijime vit për vit. Përndryshe do të kishin reshtur së kushtuari flijime, pasi ata që adhuronin Perëndinë, si të ishin pastruar një herë, nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre. Por ato flijime iu kujtonin mëkatet çdo vit, sepse gjaku i viçave dhe i cjepve nuk mund t'i shlyejë mëkatet. Kur erdhi Krishti në botë, tha: flijime e dhurata nuk deshe, por më bëre gati një trup. Shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatet nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ja ku po vij, o Perëndi, për të bërë vullnetin tënd, sikurse është shkruar për mua në krye të librit. Më lart ai tha se nuk i pëlqejnë flijimet dhe dhuratat, si dhe shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatin, megjithëse ato kushtoheshin sipas ligjit. Pastaj shtoi: ja ku po vij për të bërë vullnetin tënd! Kështu ai hedh poshtë flijimet e para për të caktuar flijimin e dytë. Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë. Të gjithë priftërinjtë rrinin çdo ditë në këmbë për të shërbyer e për të kushtuar shumë herë të njëjtat flijime, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë mëkatet. Ndërsa Krishti kushtoi vetëm një flijim për mëkatet një herë e përgjithmonë e pastaj u ul në të djathtë të Perëndisë. Tani, atje, ai pret që armiqtë e tij të bëhen shtrojë e këmbëve të tij. Kështu, me një kushtim të vetëm, Krishti i bëri të përsosur përgjithmonë të shenjtëruarit. Edhe Shpirti i shenjtë na dëshmon kur thotë: besëlidhja që do të lidh me ta pas atyre ditëve, thotë Zoti, është kjo: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre e do t'i shkruaj në zemrat e tyre. Mëkatet e tyre e paudhësitë e tyre nuk do t'i kujtoj më. Ku ka ndjesë të mëkateve, nuk është nevoja më për flijime.

Hebrenjve 10:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse ligji, duke pasur hijen e të mirave që kishin për të ardhur dhe jo figurën vetë të gjërave, nuk mundet kurrë që t'i bëjë të përkryer ata që i afrohen Perëndisë me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit. Sepse përndryshe do të kishin pushuar t'i ofronin, sepse ata që e ushtrojnë kultin, si të pastroheshin një herë, a nuk do të kishin më asnjë vetëdije për mëkatet? Por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve, sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet. Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: ''Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup; ti nuk pëlqeve as holokauste as flijimet për mëkatin. Atëherë unë thashë: "Ja, unë po vij; në rrotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd"''. Mbasi tha: ''Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as holokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit'', ai shtoi: ''Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd''. Ai heq të parën, që të vërë të dytën. Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë. Dhe ndërsa çdo prift rri përditë në këmbë duke shërbyer dhe duke blatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, ai, përkundrazi, pasi dha përgjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë, duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t'i vihen si ndenjëse për këmbët e tij. Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen. Por edhe Fryma e Shenjtë na e dëshmon; sepse, mbasi pat thënë më parë: ''Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t'i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t'i shkruaj në mendjet e tyre'', shton: ''Dhe nuk do t'i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre''. Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë