Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 47:1-27

Zanafilla 47:1-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Jozefi shkoi e njoftoi faraonin: «Im atë e vëllezërit e mi kanë ardhur nga toka e Kanaanit bashkë me dhentë e qetë e tyre dhe me gjithçka kanë dhe tani ndodhen në tokën e Goshenit». Jozefi kishte zgjedhur pesë nga vëllezërit e i kishte nxjerrë para faraonit. Atëherë faraoni u tha vëllezërve: «Me çfarë merreni?». Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë barinj, ashtu siç kanë qenë edhe etërit tanë. Kemi ardhur për të banuar si të huaj, se zia e bukës është aq e rëndë në tokën e Kanaanit, saqë nuk ka më kullota për bagëtitë e shërbëtorëve të tu. Prandaj, lejoji shërbëtorët e tu të banojnë në Goshen». Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Yt atë dhe vëllezërit e tu erdhën te ti. Toka e Egjiptit është para teje. Vendose tët atë e vëllezërit e tu në vendin më të mirë. Le të banojnë në tokën e Goshenit e nëse di se ndonjëri prej tyre është i aftë, vendose si kryembikëqyrës të bagëtive të mia». Pastaj Jozefi mori me vete Jakobin, të atin, dhe e nxori para faraonit. Jakobi e bekoi faraonin. Atëherë faraoni e pyeti Jakobin: «Sa vjeç je?». Ai iu përgjigj: «Kam njëqind e tridhjetë vjet që endem në këtë botë. Të pakta e të liga kanë qenë vitet e jetës sime dhe ende nuk i kam mbushur vitet e shtegtimit të etërve të mi». Pastaj Jakobi e bekoi faraonin e u largua prej tij. Atëherë Jozefi i vendosi të atin e vëllezërit të banonin atje ku i kishte urdhëruar faraoni dhe, në tokën e Egjiptit, u dha për pronë tokën më të mirë që ishte në vendin e Ramsesit. Jozefi u kujdes për të atin, për vëllezërit e vet dhe për gjithë familjen e atit të tij e u dha bukë sipas numrit të fëmijëve. Zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë nuk kishte bukë në gjithë vendin. Toka e Egjiptit dhe e Kanaanit u shkretuan prej zisë. Prej shitjes së grurit, Jozefi mblodhi të gjitha paratë që gjendeshin në tokën e Egjiptit e Kanaanit dhe i dorëzoi në thesarin e faraonit. Kur paratë mbaruan në tokën e Egjiptit e Kanaanit, gjithë Egjipti erdhi te Jozefi e i tha: «Na jep bukë, sepse na kanë mbaruar paratë. Pse duhet të vdesim para syve të tu?». Atëherë Jozefi u tha: «Nëse ju kanë mbaruar paratë, sillni gjënë e gjallë që t'jua këmbej me grurë». Ata ia prunë dhe Jozefi u dha ushqime në këmbim të kuajve, dhenve, qeve e gomarëve. Kështu, atë vit Jozefi i mbajti me bukë në këmbim të gjithë gjësë së gjallë. Viti kaloi, por pas një viti ata erdhën përsëri e i thanë: «S'duam t'ia fshehim zotërisë sonë se tani që na kanë mbaruar paratë dhe gjëja e gjallë i përket zotërisë sonë, nuk ka mbetur asgjë tjetër për t'i dhënë zotërisë sonë, përveç vetes e tokës tonë. Kështu do të marrim fund para syve të tu, ne bashkë me arat tona. Në këmbim të ushqimit na bli si skllevër për faraonin, ne dhe arat tona. Na jep farë gruri, që të mos vdesim e të mos na shkretohen arat». Atëherë Jozefi e bleu tërë tokën e Egjiptit për faraonin, sepse zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë çdo egjiptiani iu desh të shiste arën e vet. Kështu, toka u bë e faraonit dhe populli u vu nën skllavëri anekënd Egjiptit. Vetëm tokat e priftërinjve, Jozefi nuk i bleu, sepse faraoni u kishte caktuar një racion buke dhe ata rronin prej saj. Për këtë arsye, priftërinjtë nuk i shitën arat e tyre. Jozefi i tha popullit: «Tani që ju kam blerë ju e arat tuaja për faraonin, ja ku e keni grurin për vete dhe për arat tuaja. Por, kur të korrni, një të pestën do t'ia jepni faraonit. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë e juaja për farë e për të ushqyer veten, familjet e fëmijët tuaj». Ata i thanë: «Na shpëtove! Në dashtë zotëria ynë, ne do të bëhemi skllevër të faraonit». Kështu, Jozefi e bëri ligj në tokën e Egjiptit: Një e pesta i takon faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk i përkasin atij. Ky ligj është deri më sot. Izraeli banoi në tokën e Egjiptit, në Goshen. Aty patën prona, u shtuan dhe u shumuan.

Zanafilla 47:1-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Jozefi shkoi, pra, të njoftojë Faraonin dhe i tha: "Ati im dhe vëllezërit e mi, me gjithë kopetë e tyre, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe me gjithçka kanë, kanë ardhur nga vendi i Kanaanit; dhe ja, tani ndodhen në vendin e Goshenit". Pastaj mori pesë nga vëllezërit e tij dhe ia paraqiti Faraonit. Atëherë Faraoni u tha vëllezërve të Jozefit: "Me ç'punë merreni?". Ata iu përgjigjën Faraonit: "Shërbëtorët e tu janë barinj, si ne ashtu dhe etërit tanë". Pastaj i thanë Faraonit: "Kemi ardhur për të banuar në këtë vend, sepse nuk kishte më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse ka zi të madhe në vendin e Kanaanit. Lejona tani që shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit". Atëherë Faraoni ia drejtoi fjalën Jozefit, duke i thënë: "Ati yt dhe vëllezërit e tu erdhën te ti; vendi i Egjiptit është në dispozicionin tënd; bëj që ati yt dhe vëllezërit e tu të banojnë në pjesën më të mirë të vendit; le të banojnë edhe në vendin e Goshenit. Dhe në qoftë se ti di që midis tyre ka njerëz të zotë, caktoji kryeintendentë të bagëtisë sime". Pastaj Jozefi e çoi Jakobin, atin e tij, te Faraoni dhe ia paraqiti. Dhe Jakobi bekoi Faraonin. Atëherë Faraoni i tha Jakobit: "Sa vjet ke që jeton?". Jakobi iu përgjigj Faraonit: "Vitet e shtegtimit tim janë njëqind e tridhjetë; vitet e jetës sime kanë qenë të pakta dhe të këqija, dhe nuk e kanë arritur numrin e viteve të jetës së etërve të mi, në ditët e shtegtimit të tyre". Jakobi e bekoi përsëri Faraonin dhe u largua nga prania e Faraonit. Kështu Jozefi vendosi atin e tij dhe vëllezërit e tij dhe u dha atyre një pronë në vendin e Egjiptit, në pjesën më të mirë të vendit, në krahinën e Ramsesit, ashtu siç kishte urdhëruar Faraoni. Dhe Jozefi e mbajti me bukë të atin, të vëllezërit dhe tërë familjen e të atit duke i furnizuar sipas numrit të bijve. Ndërkaq në të gjithë vendin nuk kishte bukë, sepse zija e bukës ishte shumë e madhe; vendi i Egjiptit dhe vendi i Kanaanit vuanin nga uria. Jozefi mblodhi tërë paratë që gjendeshin në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit në këmbim të grurit që ata blinin; dhe këto para Jozefi i çoi në shtëpinë e Faraonit. Por kur në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit nuk pati më para, tërë egjiptasit erdhën te Jozefi dhe thanë: "Na jep bukë! Pse duhet të vdesim para syve të tu? Sepse paratë tona kanë mbaruar". Jozefi tha: "Jepni bagëtinë tuaj; dhe unë do t'ju jap bukë në këmbim të bagëtisë suaj, në qoftë se i keni mbaruar paratë". Atëherë ata i çuan Jozefit bagëtinë e tyre; dhe Jozefi u dha atyre bukë në këmbim të kuajve të tyre, të kopeve të tyre me dele, të qeve dhe të gomarëve. Kështu i furnizoi me bukë për atë vit në këmbim të gjithë bagëtisë së tyre. Mbasi kaloi ai vit, u kthyen tek ai vitin pasues dhe i thanë: "Nuk mund t'ia fshehim zotërisë tonë që, me qenë se paratë mbaruan dhe kopetë e bagëtisë sonë janë bërë pronë e zotërisë tonë, nuk mbetet asgjë tjetër që zotëria im mund të na marrë veç trupave tonë dhe tokave tona. Pse duhet të mbarojmë para syve të tu, ne dhe tokat tona? Blina ne dhe tokat tona në këmbim të bukës, dhe ne me tokat tona do të jemi skllevër të Faraonit; na jep të mbjellim që të mund të jetojmë dhe jo të vdesim, dhe toka të mos shndërrohet në një shkretëtirë". Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vendi u bë pronë e Faraonit. Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit; vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre. Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën; në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t'ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj". Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit". Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t'i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit. Kështu Izraeli banoi në vendin e Egjiptit, në vendin e Goshenit; aty ata patën prona, qenë frytdhënës dhe u shumuan fort.