Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 47

47
1Atëherë Jozefi shkoi e njoftoi faraonin: «Im atë e vëllezërit e mi kanë ardhur nga toka e Kanaanit bashkë me dhentë e qetë e tyre dhe me gjithçka kanë dhe tani ndodhen në tokën e Goshenit». 2Jozefi kishte zgjedhur pesë nga vëllezërit e i kishte nxjerrë para faraonit. 3Atëherë faraoni u tha vëllezërve: «Me çfarë merreni?». Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë barinj, ashtu siç kanë qenë edhe etërit tanë. 4Kemi ardhur për të banuar si të huaj, se zia e bukës është aq e rëndë në tokën e Kanaanit, saqë nuk ka më kullota për bagëtitë e shërbëtorëve të tu. Prandaj, lejoji shërbëtorët e tu të banojnë në Goshen». 5Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Yt atë dhe vëllezërit e tu erdhën te ti. 6Toka e Egjiptit është para teje. Vendose tët atë e vëllezërit e tu në vendin më të mirë. Le të banojnë në tokën e Goshenit e nëse di se ndonjëri prej tyre është i aftë, vendose si kryembikëqyrës të bagëtive të mia».
7Pastaj Jozefi mori me vete Jakobin, të atin, dhe e nxori para faraonit. Jakobi e bekoi faraonin. 8Atëherë faraoni e pyeti Jakobin: «Sa vjeç je?». 9Ai iu përgjigj: «Kam njëqind e tridhjetë vjet që endem në këtë botë. Të pakta e të liga kanë qenë vitet e jetës sime dhe ende nuk i kam mbushur vitet e shtegtimit të etërve të mi». 10Pastaj Jakobi e bekoi faraonin e u largua prej tij. 11Atëherë Jozefi i vendosi të atin e vëllezërit të banonin atje ku i kishte urdhëruar faraoni dhe, në tokën e Egjiptit, u dha për pronë tokën më të mirë që ishte në vendin e Ramsesit. 12Jozefi u kujdes për të atin, për vëllezërit e vet dhe për gjithë familjen e atit të tij e u dha bukë sipas numrit të fëmijëve.
Zia e bukës në Egjipt
13Zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë nuk kishte bukë në gjithë vendin. Toka e Egjiptit dhe e Kanaanit u shkretuan prej zisë. 14Prej shitjes së grurit, Jozefi mblodhi të gjitha paratë që gjendeshin në tokën e Egjiptit e Kanaanit dhe i dorëzoi në thesarin e faraonit. 15Kur paratë mbaruan në tokën e Egjiptit e Kanaanit, gjithë Egjipti erdhi te Jozefi e i tha: «Na jep bukë, sepse na kanë mbaruar paratë. Pse duhet të vdesim para syve të tu?». 16Atëherë Jozefi u tha: «Nëse ju kanë mbaruar paratë, sillni gjënë e gjallë që t'jua këmbej me grurë». 17Ata ia prunë dhe Jozefi u dha ushqime në këmbim të kuajve, dhenve, qeve e gomarëve. Kështu, atë vit Jozefi i mbajti me bukë në këmbim të gjithë gjësë së gjallë. 18Viti kaloi, por pas një viti ata erdhën përsëri e i thanë: «S'duam t'ia fshehim zotërisë sonë se tani që na kanë mbaruar paratë dhe gjëja e gjallë i përket zotërisë sonë, nuk ka mbetur asgjë tjetër për t'i dhënë zotërisë sonë, përveç vetes e tokës tonë. 19Kështu do të marrim fund para syve të tu, ne bashkë me arat tona. Në këmbim të ushqimit na bli si skllevër për faraonin, ne dhe arat tona. Na jep farë gruri, që të mos vdesim e të mos na shkretohen arat».
20Atëherë Jozefi e bleu tërë tokën e Egjiptit për faraonin, sepse zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë çdo egjiptiani iu desh të shiste arën e vet. Kështu, toka u bë e faraonit 21dhe populli u vu nën skllavëri anekënd Egjiptit. 22Vetëm tokat e priftërinjve, Jozefi nuk i bleu, sepse faraoni u kishte caktuar një racion buke dhe ata rronin prej saj. Për këtë arsye, priftërinjtë nuk i shitën arat e tyre. 23Jozefi i tha popullit: «Tani që ju kam blerë ju e arat tuaja për faraonin, ja ku e keni grurin për vete dhe për arat tuaja. 24Por, kur të korrni, një të pestën do t'ia jepni faraonit. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë e juaja për farë e për të ushqyer veten, familjet e fëmijët tuaj». 25Ata i thanë: «Na shpëtove! Në dashtë zotëria ynë, ne do të bëhemi skllevër të faraonit». 26Kështu, Jozefi e bëri ligj në tokën e Egjiptit: Një e pesta i takon faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk i përkasin atij. Ky ligj është deri më sot.
Ditët e fundit të Jakobit
27Izraeli banoi në tokën e Egjiptit, në Goshen. Aty patën prona, u shtuan dhe u shumuan. 28Jakobi jetoi në tokën e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet. Ai jetoi gjithsej njëqind e dyzet e shtatë vjet. 29Kur po i afrohej koha për të vdekur, Izraeli thirri Jozefin, të birin, e i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, vëre dorën tënde nën kofshën time. Tregohu mirëdashës dhe besnik me mua. Mos më varros në Egjipt! 30Kur të pushoj me etërit e mi, më merr nga Egjipti dhe më varros në varrin e të parëve». Ai i tha: «Do të bëj siç the». 31Jakobi i tha: «M'u beto!» e Jozefi iu betua. Atëherë Izraeli u përkul me nderim pranë kokës së shtratit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 47: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë