Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 37:5-36

Zanafilla 37:5-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jozefi pa një ëndërr dhe, kur ua tregoi vëllezërve, ata e urryen edhe më shumë. Ai u tha: «Dëgjoni ëndrrën që pashë. Po mblidhnim dorëza gruri në mes të fushës. Kur ja, dorëza ime u ngrit e qëndroi drejt. Ndërsa dorëzat tuaja u mblodhën përreth e u përkulën me nderim para dorëzës sime». Atëherë vëllezërit i thanë: «A thua do të bëhesh mbreti ynë e do të sundosh mbi ne?!». Kështu, ata e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave e fjalëve të tij. Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: «Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim». Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: «Ç'është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!». Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë. Vëllezërit shkuan në Shekem për të kullotur dhentë e atit të tyre. Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin dhentë në Shekem. Ngrihu e shko tek ata!». Ai u përgjigj: «Gati jam!». Izraeli i tha: «Shko, shih a janë mirë vëllezërit e dhentë e më kthe përgjigje». Kështu, e dërgoi Jozefin nga lugina e Hebronit dhe ai mbërriti në Shekem. Atje gjeti një njeri që po sillej nëpër fushë, i cili e pyeti: «Çfarë po kërkon?». Jozefi iu përgjigj: «Po kërkoj vëllezërit e mi. Më trego, ku po kullotin». Njeriu i tha: «Kanë ikur që këtej, por unë i dëgjova që thoshin: “Të shkojmë në Dotan”». Atëherë Jozefi shkoi pas vëllezërve e i gjeti në Dotan. Ata e panë Jozefin që larg dhe para se të afrohej kurdisën një plan për ta vrarë. I thanë njëri-tjetrit: «Ja, po vjen ky ëndërrimtari! Ejani tani, ta vrasim e ta hedhim në një gropë e të themi se e shqyen egërsirat. Atëherë do të shohim sa i vlejnë ëndrrat!». Rubeni i dëgjoi dhe e shpëtoi Jozefin prej duarve të tyre, kur u tha: «Mos t'ia marrim jetën». Ai shtoi: «Mos derdhni gjak! Hidheni në këtë gropë, në shkretëtirë, por mos vini dorë mbi të». Ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që t'ia kthente të atit. Kur Jozefi mbërriti te vëllezërit, ata e zhveshën. Pasi ia zhveshën tunikën shumëngjyrëshe që mbante veshur, e morën dhe e hodhën në një gropë. Gropa ishte bosh e pa ujë. Pastaj u ulën të hanë bukë. Kur ngritën sytë, panë një karvan ishmaelitësh që po vinte nga Gileadi e po shkonte për në Egjipt me deve të ngarkuara me rrëshirë, balsam e mirrë. Atëherë Juda u tha vëllezërve: «Çfarë përfitimi kemi nëse e vrasim vëllanë e ia fshehim kufomën. Ejani, t'ua shesim ishmaelitëve e të mos vëmë dorë mbi të, se është vëllai e gjaku ynë». Kur tregtarët midianitë kaluan andej, e nxorën Jozefin nga gropa e ua shitën ishmaelitëve për njëzet sikla argjendi. Ata e çuan Jozefin në Egjipt. Rubeni u kthye te gropa, por Jozefi nuk ishte atje. Atëherë shqeu rrobat, u kthye te vëllezërit e u tha: «Djali nuk është më atje! Kah t'ia mbaj unë tani?». Pastaj morën tunikën e Jozefit dhe e zhytën në gjakun e një cjapi që therën. Ia sollën tunikën shumëngjyrëshe të atit e i thanë: «Gjetëm këtë! Shikoje mirë! A është e djalit tënd apo jo?». Ai e njohu tunikën e tha: «Është tunika e tim biri. E paskan ngrënë egërsirat. Copë-copë ma paskan bërë Jozefin!». Atëherë Jakobi shqeu rrobat e veta, vuri një grathore rreth ijëve dhe e vajtoi të birin për një kohë të gjatë. U ngritën për ta ngushëlluar të gjithë bijtë e bijat, por ai nuk donte të ngushëllohej e thoshte: «Duke vajtuar do të zbres në skëterrë, tek im bir». Kështu e vajtoi ati të birin. Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt. Ia shitën Potifarit, oborrtarit të faraonit, komandantit të rojave.

Zanafilla 37:5-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër. Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë. Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi". Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij. Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: "Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje". Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç'kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?". Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë. Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem. Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Izraeli i tha: "Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje". Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem. Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: "Çfarë kërkon?". Ai u përgjigj: "Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë". Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thoshin: "Të shkojmë në Dothan"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan. Ata e panë së largu, dhe para se t'u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë. Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi! Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç'përfundim do të kenë ëndrrat e tij". Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim". Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t'ia shpënë të atit. Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rroba e gjatë që i arrinte deri te këmbët; pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda. Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t'i çuar në Egjipt. Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç'dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij? Ejani, t'ia shesim ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan. Ndërsa po kalonin ata tregtarë midianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt. Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i shqeu rrobat e tij. Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?". Kështu ata morën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak. Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rroba e birit tënd". Dhe ai e njohu dhe tha: "Është rroba e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë". Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë. Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati. Ndërkaq midianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë