Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 37:5-36

Zanafilla 37:5-36 ALBB

Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër. Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë. Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi". Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij. Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: "Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje". Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç'kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?". Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë. Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem. Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Izraeli i tha: "Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje". Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem. Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: "Çfarë kërkon?". Ai u përgjigj: "Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë". Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thoshin: "Të shkojmë në Dothan"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan. Ata e panë së largu, dhe para se t'u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë. Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi! Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç'përfundim do të kenë ëndrrat e tij". Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim". Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t'ia shpënë të atit. Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rroba e gjatë që i arrinte deri te këmbët; pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda. Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t'i çuar në Egjipt. Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç'dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij? Ejani, t'ia shesim ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan. Ndërsa po kalonin ata tregtarë midianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt. Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i shqeu rrobat e tij. Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?". Kështu ata morën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak. Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rroba e birit tënd". Dhe ai e njohu dhe tha: "Është rroba e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë". Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë. Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati. Ndërkaq midianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Zanafilla 37:5-36