Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 35:16-29

Zanafilla 35:16-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj u nisën nga Betheli; kishte edhe një copë rrugë për të arritur në Efratë, kur Rakela lindi. Ajo pati një lindje të vështirë; dhe gjatë lindjes së vështirë mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe këtë herë ke një djalë". Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin. Kështu Rakela vdiq dhe u varros në rrugën e Efratës (domethënë të Betlemit). Dhe Jakobi ngriti mbi varrin e saj një përmendore. Dhe kjo përmendore ekziston ende sot e kësaj dite mbi varrin e Rakelës. Pastaj Izraeli u nis dhe ngriti çadrën përtej Migdal-Ederit. Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e ra në shtrat me Bilbah, konkubinën e atit të tij. Dhe Izraeli e mori vesh. Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Bijtë e Leas ishin: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni. Bijtë e Rakelës ishin: Jozefi dhe Beniamini. Bijtë e Bilhahut, shërbëtorja e Rakelës, ishin: Dani dhe Neftali. Bijtë e Zilpahës, shërbëtorja e Leas, ishin: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit që i lindën në Padan-Aram. Pastaj Jakobi erdhi tek Isaku, i ati, në Marme, në Kirjath-Arba (domethënë në Hebron), ku Abrahami dhe Isaku kishin qëndruar ca kohë. Isaku jetoi njëqind e tetëdhjetë vjet. Kështu Isaku dha shpirt, vdiq dhe u bashkua me popullin e tij, ishte i plakur dhe i ngopur me ditë; dhe Esau dhe Jakobi, bijtë e tij, e varrosën.