Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 35

35
Jakobi kthehet ne Betel
1Perëndia i tha Jakobit: «Ngrihu, shko në Betel e bano atje. Aty ngri një altar për Perëndinë që t'u shfaq kur ike nga Esau, vëllai yt». 2Atëherë Jakobi i tha shtëpisë së tij e gjithë atyre që ishin me të: «Hidhni tej perënditë e huaja që janë mes jush. Pastrohuni e ndërroni rrobat. 3Pastaj të ngrihemi e të shkojmë në Betel që atje t'i ndërtoj një altar Perëndisë që m'u përgjigj ditën kur u gjeta ngushtë dhe që ishte me mua në udhëtimin që bëra». 4Atëherë ata ia dhanë Jakobit të gjitha perënditë e huaja e vathët që kishin e ai i fshehu nën lisin pranë Shekemit.
5Kur u nisën, qytetet përreth i kapi tmerri i Perëndisë dhe ata nuk i ndoqën bijtë e Jakobit. 6Jakobi e tërë populli që ishte me të arritën në Luz që është në tokën e Kanaanit. Ky është Beteli. 7Aty ngriti një altar dhe vendin e quajti Perëndia i Betelit, se aty iu shfaq Perëndia kur iku nga i vëllai. 8Në atë kohë vdiq Debora, mëndesha e Rebekës. Ajo u varros nën një lis pranë#35.8 ose: në jug Betelit dhe Jakobi e quajti vendin Lisi i Vajtimit.
9Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit kur erdhi nga Padan Arami, e bekoi 10e i tha: «Emri yt është Jakob. Por nuk do të quhesh më Jakob, sepse emri yt do të jetë Izrael». Kështu e quajti Izrael. 11Pastaj i tha: «Unë jam Perëndia i gjithëpushtetshëm. Shumohu e shtohu! Prej teje do të dalë një popull e një shumicë popujsh e prej ijëve të tua do të dalin mbretër. 12Tokën që i dhashë Abrahamit e Isakut do të ta jap ty. Pasardhësve të tu do t'ua jap tokën». 13Pastaj Perëndia u largua prej tij e prej vendit ku i kishte folur. 14Atëherë Jakobi ngriti një përmendore guri ne vendin ku Perëndia i kishte folur, e lagu me një fli stërpikjeje dhe derdhi vaj mbi të. 15Jakobi e quajti Betel vendin ku i kishte folur Perëndia.
Vdekja e Rakelës
16Ata u nisën nga Beteli e kur ishin ende pak larg nga Efrata, Rakelën e zunë dhimbjet e forta të lindjes. 17Për shkak se kishte dhimbje të forta gjatë lindjes, mamia i tha: «Mos ki frikë, se u bëre me një tjetër djalë!». 18Por ajo vdiq dhe, duke dhënë shpirt, e quajti të birin Benoni, ndërsa i ati e quajti Benjamin. 19Rakela vdiq e u varros udhës për në Efratë, ku është Betlehemi. 20Jakobi ngriti një përmendore mbi varrin e saj. Kjo është përmendorja e varrit të Rakelës që njihet edhe sot. 21Atëherë Izraeli shkoi prej andej dhe ngriti tendën përtej Migdal Ederit.
22Kur Izraeli banoi në këtë vend, Rubeni shkoi e fjeti me Bilhën, shemrën e të atit. Izraeli e mori vesh.
Jakobi kishte dymbëdhjetë djem. 23Bijtë e Leas ishin Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isahari e Zabuloni. 24Bijtë e Rakelës ishin Jozefi e Benjamini. 25Bijtë e Bilhës, shërbëtores së Rakelës, ishin Dani e Neftaliu. 26Bijtë e Zilfës, shërbëtores së Leas, ishin Gadi e Asheri. Këta ishin bijtë e Jakobit që i lindën në Padan Aram.
Vdekja e Isakut
27Jakobi mbërriti në Mamre, tek Isaku, i ati. Ky është Kirjat Arba, në Hebron, ku Abrahami e Isaku kishin banuar si të huaj. 28Isaku ishte njëqind e tetëdhjetë vjeç 29kur dha shpirt e vdiq. I moshuar e në moshë të thyer, u varros bashkë me popullin e tij. E varrosën të bijtë, Esau e Jakobi.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 35: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr