Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 30:1-24

Zanafilla 30:1-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur pa që nuk mund t'i lindte fëmijë Jakobit, Rakela e pati zili të motrën e i tha Jakobit: «Më jep bij, përndryshe do të vdes!». Jakobi u zemërua me Rakelën e i tha: «Mos jam Perëndia unë? Ai ta ka mohuar frytin e barkut». Ajo tha: «Ja ku e ke Bilhën, shërbëtoren time. Fli me të. Kështu, ajo do të lindë në prehrin tim e prej saj do të bëhem edhe unë me fëmijë». Rakela i dha Jakobit për grua Bilhën, skllaven e vet, e ai fjeti me të. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Rakela tha: «Perëndia më dha të drejtë, ma dëgjoi edhe mua zërin e më dha një djalë». Prandaj e quajti Dan. Bilha, skllavja e Rakelës, mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit edhe një djalë. Atëherë Rakela tha: «Fort u përlesha me time motër, por më në fund fitova». Prandaj e quajti Neftali. Kur Lea pa që nuk mund të lindte më, mori Zilfën, skllaven e vet, e ia dha Jakobit për grua. Ajo i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Lea tha: «Pata fat!». Prandaj e quajti Gad. Zilfa, skllavja e Leas, i lindi Jakobit edhe një djalë tjetër. Lea tha: «Lum unë, se gratë do të më quajnë të lume». Prandaj e quajti Asher. Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli në fushë, gjeti madërgona e ia dha të ëmës, Leas. Atëherë Rakela i tha: «Më jep disa nga madërgonat që të solli yt bir». Por ajo iu përgjigj: «Pak të duket që më more tim shoq, tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri!». Rakela i tha: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, Jakobi do të flejë sonte me ty». Në mbrëmje Jakobi u kthye nga fusha dhe Lea i doli para e i tha: «Do të flesh me mua, se të kam blerë me madërgonat e tim biri». Atë natë ai fjeti me të. Perëndia e dëgjoi Lean. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e pestë. Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim, sepse i dhashë tim shoqi skllaven time». Prandaj e quajti Isahar. Lea mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e gjashtë. Ajo tha: «Perëndia më dha një dhuratë të mirë. Kësaj here im shoq do të më nderojë, sepse i kam lindur gjashtë djem». Prandaj e quajti Zabulon. Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina. Perëndia u kujtua për Rakelën. Ai e dëgjoi e i dha fëmijë. Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Perëndia ma hoqi turpin». Prandaj e quajti Jozef e tha: «ZOTI më shtoftë edhe me një djalë tjetër».

Zanafilla 30:1-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes". Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?". Ajo u përgjigj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë". Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo. Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit. Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan. Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit. Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali. Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit. dhe Lea tha: "Ç'fat!". Dhe i vuri emrin Gad. Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë. Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher. Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!". Ajo iu përgjigj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty". Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: "Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e birit tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të. Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë. Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar. Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë. Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon. Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina. Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme; kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim". Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër".