Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 30:1-24

Zanafilla 30:1-24 AL1

Kur pa që nuk mund t'i lindte fëmijë Jakobit, Rakela e pati zili të motrën e i tha Jakobit: «Më jep bij, përndryshe do të vdes!». Jakobi u zemërua me Rakelën e i tha: «Mos jam Perëndia unë? Ai ta ka mohuar frytin e barkut». Ajo tha: «Ja ku e ke Bilhën, shërbëtoren time. Fli me të. Kështu, ajo do të lindë në prehrin tim e prej saj do të bëhem edhe unë me fëmijë». Rakela i dha Jakobit për grua Bilhën, skllaven e vet, e ai fjeti me të. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Rakela tha: «Perëndia më dha të drejtë, ma dëgjoi edhe mua zërin e më dha një djalë». Prandaj e quajti Dan. Bilha, skllavja e Rakelës, mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit edhe një djalë. Atëherë Rakela tha: «Fort u përlesha me time motër, por më në fund fitova». Prandaj e quajti Neftali. Kur Lea pa që nuk mund të lindte më, mori Zilfën, skllaven e vet, e ia dha Jakobit për grua. Ajo i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Lea tha: «Pata fat!». Prandaj e quajti Gad. Zilfa, skllavja e Leas, i lindi Jakobit edhe një djalë tjetër. Lea tha: «Lum unë, se gratë do të më quajnë të lume». Prandaj e quajti Asher. Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli në fushë, gjeti madërgona e ia dha të ëmës, Leas. Atëherë Rakela i tha: «Më jep disa nga madërgonat që të solli yt bir». Por ajo iu përgjigj: «Pak të duket që më more tim shoq, tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri!». Rakela i tha: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, Jakobi do të flejë sonte me ty». Në mbrëmje Jakobi u kthye nga fusha dhe Lea i doli para e i tha: «Do të flesh me mua, se të kam blerë me madërgonat e tim biri». Atë natë ai fjeti me të. Perëndia e dëgjoi Lean. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e pestë. Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim, sepse i dhashë tim shoqi skllaven time». Prandaj e quajti Isahar. Lea mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e gjashtë. Ajo tha: «Perëndia më dha një dhuratë të mirë. Kësaj here im shoq do të më nderojë, sepse i kam lindur gjashtë djem». Prandaj e quajti Zabulon. Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina. Perëndia u kujtua për Rakelën. Ai e dëgjoi e i dha fëmijë. Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Perëndia ma hoqi turpin». Prandaj e quajti Jozef e tha: «ZOTI më shtoftë edhe me një djalë tjetër».