Zanafilla 29:15-25
Zanafilla 29:15-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. Lea kishte sy të hijshëm, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë. Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?».
Zanafilla 29:15-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote". Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela. Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme. Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël". Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua". Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte. Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të". Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket. Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri tek ajo. Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij. Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".