Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 29

29
Jakobi takon Rakelën
1Atëherë Jakobi mori udhën e shkoi në tokën e bijve të lindjes. 2Në një fushë pa një pus e tre kope dhensh shtrirë aty pranë, sepse u jepnin për të pirë nga pusi. Një gur i madh mbulonte grykën e pusit. 3Kur mblidheshin të gjitha kopetë, barinjtë e lëviznin gurin prej grykës së pusit e u jepnin për të pirë. Pastaj e vinin gurin në vend, mbi grykën e pusit.
4Jakobi i pyeti: «Nga jeni, o vëllezër?». Ata u përgjigjën: «Nga Harani». 5Ai u tha: «A e njihni Labanin, birin e Nahorit?». Ata i thanë: «E njohim». 6Jakobi pyeti: «A është shëndoshë e mirë?». Ata iu përgjigjën: «Mirë është. Ja, Rakela, e bija, po vjen bashkë me dhentë». 7Pastaj ai u tha: «Është ende mesditë e nuk është koha kur mblidhen bagëtitë. Megjithatë, jepuni të pinë e çojini në kullotë». 8Por ata thanë: «Nuk mundemi. Do t'u japim dhenve të pinë vetëm kur të mblidhen të gjitha kopetë e guri të lëvizë prej grykës së pusit».
9Teksa fliste me ta, erdhi Rakela bashkë me dhentë e të atit. Ajo ishte bareshë. 10Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanit, ungjit të vet#29.10 të tjerë: vëllait të nënës së tij, bashkë me dhentë e tij, u afrua, lëvizi gurin nga gryka e pusit e u dha për të pirë dhenve të Labanit, ungjit të vet. 11Pastaj e puthi Rakelën e qau me zë të lartë. 12I tregoi se ishte nga fisi i të atit dhe biri i Rebekës. Atëherë ajo vrapoi e i tregoi të atit.
13Kur Labani mori vesh për Jakobin, djalin e së motrës, vrapoi ta takojë. E përqafoi, e puthi dhe e mori në shtëpi. Ai i tregoi Labanit gjithçka që kishte ngjarë. 14Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku#29.14 he. eshtra im». Jakobi qëndroi me të për një muaj.
Jakobi martohet me bijat e Labanit
15Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». 16Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. 17Lea kishte sy të hijshëm#29.17 ose: dobët, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. 18Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». 19Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». 20Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë.
21Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». 22Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. 23Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. 24Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. 25Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». 26Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. 27Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». 28Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. 29Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij.
30Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera. 31Zoti e pa se Lea u përbuz, prandaj i dha fëmijë, ndërsa Rakela ishte beronjë. 32Kështu, Lea mbeti shtatzënë e lindi një djalë. E quajti Ruben, sepse tha: «Zoti e pa hidhërimin tim. Tani im shoq do të më dojë». 33Ajo mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Zoti dëgjoi që jam e përbuzur, prandaj ma dha edhe këtë». Prandaj e quajti Simeon. 34Përsëri mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të jetë i lidhur me mua, se i kam lindur tre djem». Prandaj u quajt Levi. 35Lea mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë do ta lavdëroj Zotin». Prandaj e quajti Judë. Pastaj nuk lindi më fëmijë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 29: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë