Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 29:11-35

Zanafilla 29:11-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj e puthi Rakelën e qau me zë të lartë. I tregoi se ishte nga fisi i të atit dhe biri i Rebekës. Atëherë ajo vrapoi e i tregoi të atit. Kur Labani mori vesh për Jakobin, djalin e së motrës, vrapoi ta takojë. E përqafoi, e puthi dhe e mori në shtëpi. Ai i tregoi Labanit gjithçka që kishte ngjarë. Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku im». Jakobi qëndroi me të për një muaj. Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. Lea kishte sy të hijshëm, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë. Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij. Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera. ZOTI e pa se Lea u përbuz, prandaj i dha fëmijë, ndërsa Rakela ishte beronjë. Kështu, Lea mbeti shtatzënë e lindi një djalë. E quajti Ruben, sepse tha: «ZOTI e pa hidhërimin tim. Tani im shoq do të më dojë». Ajo mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «ZOTI dëgjoi që jam e përbuzur, prandaj ma dha edhe këtë». Prandaj e quajti Simeon. Përsëri mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të jetë i lidhur me mua, se i kam lindur tre djem». Prandaj u quajt Levi. Lea mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë do ta lavdëroj ZOTIN». Prandaj e quajti Judë. Pastaj nuk lindi më fëmijë.

Zanafilla 29:11-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau. Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t'ia tregonte të atit. Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra. Atëherë Labano i tha: "Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!". Dhe ai qëndroi një muaj me të. Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote". Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela. Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme. Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël". Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua". Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte. Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të". Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket. Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri tek ajo. Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij. Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?". Labano u përgjigj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes. Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera". Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela. Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij. Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano. Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë. Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: "Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojë". Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon. Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi. Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.