Zanafilla 27:5-13
Zanafilla 27:5-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por Rebeka e dëgjoi Isakun teksa fliste me të birin, Esaun. Kështu, kur Esau shkoi në fushë për gjah, ajo i tha të birit, Jakobit: «E dëgjova tët atë që foli me Esaun, vëllanë tënd, e i tha: “Më sill pak gjah e më përgatit një gjellë që ta ha e të të bekoj në prani të ZOTIT para se të vdes”. Tani, pra, biri im dëgjo çka po të urdhëroj. Shko në kope e më merr dy keca të mirë që ta përgatis gjellën për tët atë ashtu siç e do ai. Pastaj çoi atit tënd të hajë, që ai të të bekojë para se të vdesë». Jakobi i tha Rebekës, së ëmës: «Esau, im vëlla, është leshtor, ndërsa unë nuk jam i tillë. Ndoshta im atë më prek e dal mashtrues para tij e kështu, në vend të bekimit, do t'i sjell vetes mallkim». E ëma iu përgjigj: «Mallkimi yt rëntë mbi mua, biri im, ti vetëm më dëgjo e shko e merr kecat».
Zanafilla 27:5-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani Rebeka rrinte duke dëgjuar, ndërsa Isaku i fliste birit të tij Esau. Kështu Esau shkoi nëpër fusha për të gjuajtur kafshë të egra për t'ia shpënë të atit. Atëherë Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, dhe i tha: "Ja, unë dëgjova babanë tënd që i fliste Esaut, vëllait tënd duke i thënë: "Më sill gjah dhe më përgatit një gjellë të shijshme, që unë ta ha dhe të të bekoj në prani të Zotit, para se të vdes". Prandaj, biri im, bindju zërit tim dhe bëj atë që të urdhëroj. Shko tani në kope dhe më sill dy keca të mirë; unë do të përgatis një gjellë të shijshme për babanë tënd, nga ato që i pëlqejnë atij. Pastaj ti do t'ia çosh babait tënd që ta hajë, dhe kështu ai do të bekojë para se të vdesë". Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, vëllai im Esau është leshtor, ndërsa unë e kam lëkurën të lëmuar. Ndofta babai im më prek me dorë; do t'i dukem atij mashtrues dhe do të tërheq mbi vete një mallkim në vend të një bekimi". Por nëna e tij iu përgjigj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat".