Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 27

27
Isaku bekon Jakobin
1Kur Isaku u plak dhe e lanë sytë aq sa nuk shihte më, thirri Esaun, birin e tij të madh, e i tha: «Biri im!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam». 2Isaku tha: «Ja, u plaka e nuk e di kur do të vdes. 3Merr armët, kukurën e harkun e dil për gjah në fushë. 4Pastaj më përgatit një gjellë ashtu siç e dua unë e ma sill ta ha që të të bekoj para se të vdes».
5Por Rebeka e dëgjoi Isakun teksa fliste me të birin, Esaun. Kështu, kur Esau shkoi në fushë për gjah, 6ajo i tha të birit, Jakobit: «E dëgjova tët atë që foli me Esaun, vëllanë tënd, e i tha: 7“Më sill pak gjah e më përgatit një gjellë që ta ha e të të bekoj në prani të Zotit para se të vdes”. 8Tani, pra, biri im dëgjo çka po të urdhëroj. 9Shko në kope e më merr dy keca të mirë që ta përgatis gjellën për tët atë ashtu siç e do ai. 10Pastaj çoi atit tënd të hajë, që ai të të bekojë para se të vdesë». 11Jakobi i tha Rebekës, së ëmës: «Esau, im vëlla, është leshtor, ndërsa unë nuk jam i tillë. 12Ndoshta im atë më prek e dal mashtrues para tij e kështu, në vend të bekimit, do t'i sjell vetes mallkim». 13E ëma iu përgjigj: «Mallkimi yt rëntë mbi mua, biri im, ti vetëm më dëgjo e shko e merr kecat». 14Atëherë ai shkoi, i mori e ia solli të ëmës. Ajo e përgatiti gjellën ashtu siç e donte i ati. 15Pastaj Rebeka mori rrobat më të mira të Esaut, birit të saj të madh, që i kishte në shtëpi, e ia veshi Jakobit, birit të saj të vogël. 16Duart dhe pjesën e lëmuar të qafës ia mbuloi me lëkurën e kecave. 17Pastaj ia dha në dorë Jakobit, të birit, gjellën e bukën që kishte përgatitur.
18Ky shkoi tek i ati e i tha: «O ati im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam. Kush je ti, biri im?». 19Jakobi i tha të atit: «Jam unë, Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më the. Ngrihu, pra, e ha nga gjahu im, që të më bekosh». 20Isaku i tha të birit: «Sa shpejt e kape biri im?!». Ai iu përgjigj: «Zoti, Perëndia yt, ma nxori përpara». 21Isaku i tha Jakobit: «Afrohu biri im, që të të prek e ta di nëse je biri im Esau, apo jo». 22Jakobi iu afrua Isakut, të atit. Ai e preku e tha: «Zëri është i Jakobit, ndërsa duart janë të Esaut». 23Ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore si duart e Esaut, të vëllait. Atëherë ai e bekoi. 24Isaku i tha: «A je ti biri im Esau?». Ai u përgjigj: «Po». 25Atëherë ai tha: «Ma afro gjellën që të ha nga gjahu i birit tim e të të bekoj». Jakobi i dha për të ngrënë e i solli verë për të pirë. 26Pastaj Isaku, i ati, i tha: «Afrohu e më puth, biri im». 27Ai u afrua dhe e puthi. Isaku u mori erë rrobave të tij dhe e bekoi e tha:
«Ja, era e tim biri,
si era e fushës që Zoti bekoi.
28Perëndia të dhëntë
vesën e qiellit e pjellorinë e tokës,
begati drithi e vere.
29Popuj të shërbefshin
e kombe u përkulshin para teje.
Bëhu zot i vëllezërve të tu
e para teje u përkulshin bijtë e nënës sate.
Mallkuar qoftë kushdo që të mallkon
e kushdo që të bekon qoftë i bekuar».
Zemërimi i Esaut
30Sapo Isaku mbaroi bekimin e pa u larguar mirë Jakobi nga i ati, u kthye nga gjahu Esau, i vëllai. 31Edhe ky përgatiti gjellën, ia solli të atit e i tha: «Ngrihu, o ati im, e ha nga gjahu i birit tënd, që të më bekosh». 32I ati i tha: «Kush je ti?». Ai iu përgjigj: «Jam yt bir, i parëlinduri yt, Esau». 33Atëherë Isaku u trondit tmerrësisht shumë e tha: «Kush ishte ai që zuri gjah e ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti, e bekova e ai do të mbetet i bekuar». 34Kur Esau dëgjoi fjalët e të atit, klithi me të madhe e, plot hidhërim, i tha: «Më beko edhe mua, o ati im!». 35Por ai i tha: «Yt vëlla erdhi me dredhi dhe mori bekimin tënd». 36Esau tha: «Jo më kot quhet Jakob. Është hera e dytë që më mashtron. Ma mori të drejtën e parëlindjes e, ja, tani më mori edhe bekimin». E shtoi: «A të ka mbetur ndonjë bekim për mua?». 37Isaku iu përgjigj: «Ja, e kam bërë zot mbi ty. Ia dhashë tërë vëllezërit si shërbëtorë dhe drithin e verën ia dhurova. Ç'të bëj për ty, o biri im?». 38Esau i tha të atit: «Vetëm një bekim paske, o ati im? Më beko edhe mua, o ati im!». Dhe qau me të madhe.
39Atëherë Isaku, i ati, i tha:
«Ja, larg#27.39 të tjerë: përmes begatisë së tokës do të banosh
e larg vesës së qiellit të lartë.
40Prej shpatës do të jetosh
e tët vëllai do t'i shërbesh.
Por, kur të ngrihesh,
zgjedhën e tij do ta heqësh qafe».
Jakobi largohet
41Esau e urrente Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati e thoshte me vete: «Ditët e zisë për atin tim po afrohen, atëherë do ta vras Jakobin, tim vëlla». 42Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj të madh, ajo dërgoi njerëz dhe thirri Jakobin, birin e saj të vogël, e i tha: «Esau, yt vëlla, po ngushëllon veten duke menduar të të vrasë. 43Tani, biri im, më dëgjo: ngrihu e ik te Labani, im vëlla, në Haran. 44Rri me të për pak kohë derisa vëllait tënd t'i bjerë zemërimi, 45t'i kalojë mëria e të harrojë çfarë i bëre. Pastaj unë do të dërgoj njerëz e do të të marr prej andej. Pse t'ju humbas që të dy në të njëjtën ditë?».
46Pastaj Rebeka i tha Isakut: «M'u neverit jeta prej këtyre bijave të Hetit. Nëse Jakobi merr grua nga bijat e Hetit, siç janë bijat e këtij vendi, nuk kam ç'e dua jetën!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 27: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë