Zanafilla 27:18-29
Zanafilla 27:18-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ky shkoi tek i ati e i tha: «O ati im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam. Kush je ti, biri im?». Jakobi i tha të atit: «Jam unë, Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më the. Ngrihu, pra, e ha nga gjahu im, që të më bekosh». Isaku i tha të birit: «Sa shpejt e kape biri im?!». Ai iu përgjigj: «ZOTI, Perëndia yt, ma nxori përpara». Isaku i tha Jakobit: «Afrohu biri im, që të të prek e ta di nëse je biri im Esau, apo jo». Jakobi iu afrua Isakut, të atit. Ai e preku e tha: «Zëri është i Jakobit, ndërsa duart janë të Esaut». Ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore si duart e Esaut, të vëllait. Atëherë ai e bekoi. Isaku i tha: «A je ti biri im Esau?». Ai u përgjigj: «Po». Atëherë ai tha: «Ma afro gjellën që të ha nga gjahu i birit tim e të të bekoj». Jakobi i dha për të ngrënë e i solli verë për të pirë. Pastaj Isaku, i ati, i tha: «Afrohu e më puth, biri im». Ai u afrua dhe e puthi. Isaku u mori erë rrobave të tij dhe e bekoi e tha: «Ja, era e tim biri, si era e fushës që ZOTI bekoi. Perëndia të dhëntë vesën e qiellit e pjellorinë e tokës, begati drithi e vere. Popuj të shërbefshin e kombe u përkulshin para teje. Bëhu zot i vëllezërve të tu e para teje u përkulshin bijtë e nënës sate. Mallkuar qoftë kushdo që të mallkon e kushdo që të bekon qoftë i bekuar».
Zanafilla 27:18-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjigj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?". Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë". Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjigj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë". Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo". Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut". Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi. Dhe tha: "A je ti me të vërtetë biri im Esau?". Ai u përgjigj: "Po". Atëherë Isaku i tha: "Më shërbe që të ha nga gjahu i birit tim dhe shpirti im të të bekojë". Kështu Jakobi i shërbeu dhe Isaku hëngri. Jakobi i solli edhe verë dhe ai e piu. Pastaj babai i tij Isaku i tha: "Tani afrohu dhe më puth, biri im". Dhe ai u afrua dhe e puthi. Dhe Isaku ndjeu erën e rrobave të tij dhe e bekoi duke thënë: "Ja, era e tim biri është si era e një fushe, që Zoti e ka bekuar. Perëndia të dhëntë vesën e qiellit dhe pjellorinë e tokës, si edhe bollëkun e grurit dhe të verës. Të shërbefshin popujt dhe kombet u përkulshin para teje. Qofsh pronar i vëllezërve të tu dhe bijtë e nënës sate u përkulshin para teje. I mallkuar qoftë cilido të mallkon, i bekuar qoftë cilido të bekon!".