Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 27:1-46

Zanafilla 27:1-46 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur Isaku u plak dhe e lanë sytë aq sa nuk shihte më, thirri Esaun, birin e tij të madh, e i tha: «Biri im!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam». Isaku tha: «Ja, u plaka e nuk e di kur do të vdes. Merr armët, kukurën e harkun e dil për gjah në fushë. Pastaj më përgatit një gjellë ashtu siç e dua unë e ma sill ta ha që të të bekoj para se të vdes». Por Rebeka e dëgjoi Isakun teksa fliste me të birin, Esaun. Kështu, kur Esau shkoi në fushë për gjah, ajo i tha të birit, Jakobit: «E dëgjova tët atë që foli me Esaun, vëllanë tënd, e i tha: “Më sill pak gjah e më përgatit një gjellë që ta ha e të të bekoj në prani të ZOTIT para se të vdes”. Tani, pra, biri im dëgjo çka po të urdhëroj. Shko në kope e më merr dy keca të mirë që ta përgatis gjellën për tët atë ashtu siç e do ai. Pastaj çoi atit tënd të hajë, që ai të të bekojë para se të vdesë». Jakobi i tha Rebekës, së ëmës: «Esau, im vëlla, është leshtor, ndërsa unë nuk jam i tillë. Ndoshta im atë më prek e dal mashtrues para tij e kështu, në vend të bekimit, do t'i sjell vetes mallkim». E ëma iu përgjigj: «Mallkimi yt rëntë mbi mua, biri im, ti vetëm më dëgjo e shko e merr kecat». Atëherë ai shkoi, i mori e ia solli të ëmës. Ajo e përgatiti gjellën ashtu siç e donte i ati. Pastaj Rebeka mori rrobat më të mira të Esaut, birit të saj të madh, që i kishte në shtëpi, e ia veshi Jakobit, birit të saj të vogël. Duart dhe pjesën e lëmuar të qafës ia mbuloi me lëkurën e kecave. Pastaj ia dha në dorë Jakobit, të birit, gjellën e bukën që kishte përgatitur. Ky shkoi tek i ati e i tha: «O ati im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam. Kush je ti, biri im?». Jakobi i tha të atit: «Jam unë, Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më the. Ngrihu, pra, e ha nga gjahu im, që të më bekosh». Isaku i tha të birit: «Sa shpejt e kape biri im?!». Ai iu përgjigj: «ZOTI, Perëndia yt, ma nxori përpara». Isaku i tha Jakobit: «Afrohu biri im, që të të prek e ta di nëse je biri im Esau, apo jo». Jakobi iu afrua Isakut, të atit. Ai e preku e tha: «Zëri është i Jakobit, ndërsa duart janë të Esaut». Ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore si duart e Esaut, të vëllait. Atëherë ai e bekoi. Isaku i tha: «A je ti biri im Esau?». Ai u përgjigj: «Po». Atëherë ai tha: «Ma afro gjellën që të ha nga gjahu i birit tim e të të bekoj». Jakobi i dha për të ngrënë e i solli verë për të pirë. Pastaj Isaku, i ati, i tha: «Afrohu e më puth, biri im». Ai u afrua dhe e puthi. Isaku u mori erë rrobave të tij dhe e bekoi e tha: «Ja, era e tim biri, si era e fushës që ZOTI bekoi. Perëndia të dhëntë vesën e qiellit e pjellorinë e tokës, begati drithi e vere. Popuj të shërbefshin e kombe u përkulshin para teje. Bëhu zot i vëllezërve të tu e para teje u përkulshin bijtë e nënës sate. Mallkuar qoftë kushdo që të mallkon e kushdo që të bekon qoftë i bekuar». Sapo Isaku mbaroi bekimin e pa u larguar mirë Jakobi nga i ati, u kthye nga gjahu Esau, i vëllai. Edhe ky përgatiti gjellën, ia solli të atit e i tha: «Ngrihu, o ati im, e ha nga gjahu i birit tënd, që të më bekosh». I ati i tha: «Kush je ti?». Ai iu përgjigj: «Jam yt bir, i parëlinduri yt, Esau». Atëherë Isaku u trondit tmerrësisht shumë e tha: «Kush ishte ai që zuri gjah e ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti, e bekova e ai do të mbetet i bekuar». Kur Esau dëgjoi fjalët e të atit, klithi me të madhe e, plot hidhërim, i tha: «Më beko edhe mua, o ati im!». Por ai i tha: «Yt vëlla erdhi me dredhi dhe mori bekimin tënd». Esau tha: «Jo më kot quhet Jakob. Është hera e dytë që më mashtron. Ma mori të drejtën e parëlindjes e, ja, tani më mori edhe bekimin». E shtoi: «A të ka mbetur ndonjë bekim për mua?». Isaku iu përgjigj: «Ja, e kam bërë zot mbi ty. Ia dhashë tërë vëllezërit si shërbëtorë dhe drithin e verën ia dhurova. Ç'të bëj për ty, o biri im?». Esau i tha të atit: «Vetëm një bekim paske, o ati im? Më beko edhe mua, o ati im!». Dhe qau me të madhe. Atëherë Isaku, i ati, i tha: «Ja, larg begatisë së tokës do të banosh e larg vesës së qiellit të lartë. Prej shpatës do të jetosh e tët vëllai do t'i shërbesh. Por, kur të ngrihesh, zgjedhën e tij do ta heqësh qafe». Esau e urrente Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati e thoshte me vete: «Ditët e zisë për atin tim po afrohen, atëherë do ta vras Jakobin, tim vëlla». Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj të madh, ajo dërgoi njerëz dhe thirri Jakobin, birin e saj të vogël, e i tha: «Esau, yt vëlla, po ngushëllon veten duke menduar të të vrasë. Tani, biri im, më dëgjo: ngrihu e ik te Labani, im vëlla, në Haran. Rri me të për pak kohë derisa vëllait tënd t'i bjerë zemërimi, t'i kalojë mëria e të harrojë çfarë i bëre. Pastaj unë do të dërgoj njerëz e do të të marr prej andej. Pse t'ju humbas që të dy në të njëjtën ditë?». Pastaj Rebeka i tha Isakut: «M'u neverit jeta prej këtyre bijave të Hetit. Nëse Jakobi merr grua nga bijat e Hetit, siç janë bijat e këtij vendi, nuk kam ç'e dua jetën!».

Zanafilla 27:1-46 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur Isaku u plak dhe sytë e tij u dobësuan aq shumë sa nuk shikonte më, ai thirri të birin Esau dhe i tha: "Biri im!". Esau i tha: "Ja ku jam!". Atëherë Isaku i tha: "Ja, unë jam plak dhe nuk e di në ç'ditë kam për të vdekur. Prandaj merr tani armët e tua, kukurën dhe harkun tënd, dil nëpër fushat dhe kap për mua kafshë gjahu; pastaj më përgatit një gjellë të shijshme nga ato që më pëlqejnë dhe sillma, që unë ta ha dhe shpirti im të të bekojë para se të vdes". Tani Rebeka rrinte duke dëgjuar, ndërsa Isaku i fliste birit të tij Esau. Kështu Esau shkoi nëpër fusha për të gjuajtur kafshë të egra për t'ia shpënë të atit. Atëherë Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, dhe i tha: "Ja, unë dëgjova babanë tënd që i fliste Esaut, vëllait tënd duke i thënë: "Më sill gjah dhe më përgatit një gjellë të shijshme, që unë ta ha dhe të të bekoj në prani të Zotit, para se të vdes". Prandaj, biri im, bindju zërit tim dhe bëj atë që të urdhëroj. Shko tani në kope dhe më sill dy keca të mirë; unë do të përgatis një gjellë të shijshme për babanë tënd, nga ato që i pëlqejnë atij. Pastaj ti do t'ia çosh babait tënd që ta hajë, dhe kështu ai do të bekojë para se të vdesë". Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, vëllai im Esau është leshtor, ndërsa unë e kam lëkurën të lëmuar. Ndofta babai im më prek me dorë; do t'i dukem atij mashtrues dhe do të tërheq mbi vete një mallkim në vend të një bekimi". Por nëna e tij iu përgjigj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat". Ai vajti pra t'i marrë dhe ia çoi nënës së tij; dhe e ëma përgatiti me to një gjellë të shijshme, nga ato që i pëlqenin babait të tij. Pastaj Rebeka mori rrobat më të bukura të Esaut, birit të saj më të madh, që i mbante në shtëpi pranë vetes, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël; dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij. Pastaj vuri në dorë të Jakobit, birit të saj, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte përgatitur. Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjigj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?". Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë". Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjigj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë". Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo". Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut". Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi. Dhe tha: "A je ti me të vërtetë biri im Esau?". Ai u përgjigj: "Po". Atëherë Isaku i tha: "Më shërbe që të ha nga gjahu i birit tim dhe shpirti im të të bekojë". Kështu Jakobi i shërbeu dhe Isaku hëngri. Jakobi i solli edhe verë dhe ai e piu. Pastaj babai i tij Isaku i tha: "Tani afrohu dhe më puth, biri im". Dhe ai u afrua dhe e puthi. Dhe Isaku ndjeu erën e rrobave të tij dhe e bekoi duke thënë: "Ja, era e tim biri është si era e një fushe, që Zoti e ka bekuar. Perëndia të dhëntë vesën e qiellit dhe pjellorinë e tokës, si edhe bollëkun e grurit dhe të verës. Të shërbefshin popujt dhe kombet u përkulshin para teje. Qofsh pronar i vëllezërve të tu dhe bijtë e nënës sate u përkulshin para teje. I mallkuar qoftë cilido të mallkon, i bekuar qoftë cilido të bekon!". Dhe ndodhi që, pikërisht kur Isaku kishte mbaruar së bekuari Jakobin dhe ky sapo ishte larguar nga prania e të atit Isak, vëllai i tij Esau u kthye nga gjahu. Edhe ai përgatiti një gjellë të shijshme dhe ia shpuri babait të tij dhe i tha: "Çohu ati im dhe ha nga gjahu i birit tënd, me qëllim që shpirti yt të më bekojë". Isaku, babai i tij, i tha: "Kush je ti?". Ai u përgjigj: "Jam Esau, biri yt i parëlindur". Atëherë Isakun e zunë ca të dridhura shumë të forta dhe i tha: "Kush është ai, pra, që gjuajti gjahun dhe ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti dhe e bekova; dhe i bekuar ka për të mbetur ai". Me të dëgjuar fjalët e të atit, Esau dha një ulërimë të fortë dhe shumë të hidhur. Pastaj i tha të atit: "Bekomë edhe mua, ati im!". Por Isaku iu përgjigj: "Yt vëlla erdhi me mashtrim dhe mori bekimin tënd". Esau i tha: "Jo më kot është quajtur Jakob? Ai ma zuri vendin deri tani dy herë: më hoqi parëbirninë dhe ja tani po merr bekimin tim". Pastaj shtoi: "A nuk ke ruajtur një bekim për mua?". Atëherë Isaku u përgjigj dhe i tha Esaut: "Ja, unë e bëra zotërinë tënd dhe i dhashë tërë vëllezërit e tij si shërbëtorë, dhe e pajisa me grurë dhe me verë; ç'mund të bëj për ty, biri im?". Esau i tha babait të tij: "A ke vetëm këtë bekim, ati im? Bekomë edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin dhe qau. Isaku, babai i tij, u përgjigj duke i thënë: "Ja, banesa jote do të privohet nga pjelloria e tokës dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit. Ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do të jesh shërbëtori i vëllait tënd; por do të ndodhë që, kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote". Kështu Esau filloi ta urrejë Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati, dhe tha në zemër të vet: "Ditët e zisë për babanë po afrohen; atëherë do të vras vëllanë tim Jakobin". Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj më të madh, ajo dërgoi ta thërrasin birin e saj më të vogël, Jakobin, dhe i tha: "Ja, Esau, yt vëlla, ngushëllohet ndaj teje, duke menduar të të vrasë. Prandaj, biri im, bindju fjalëve që të them: Çohu dhe ik shpejt në Haran te Labano, vëllai im; dhe qëndro ca kohë me të, derisa t'i kalojë zemërimi vëllait tënd, derisa mëria e vëllait tënd të largohet prej teje dhe ai të harrojë atë që i ke bërë; atëherë do të dërgojë njerëz që të të marrin prej andej. Pse duhet t'ju humbas që të dyve brenda një dite të vetme?". Pastaj Rebeka i tha Isakut: "Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit. Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç'më duhet jeta?".