Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 26:1-25

Zanafilla 26:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Tokën e pllakosi një tjetër zi buke si ajo që kishte rënë në kohën e Abrahamit dhe Isaku shkoi në Gerar te Abimeleku, mbreti i filistinëve. Atëherë ZOTI iu shfaq e i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj. Bano si i huaj në këtë vend dhe unë do të jem me ty e do të të bekoj. Ty e pasardhësve të tu do t'ua jap tërë këto vende e kështu do të përmbush betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd. Do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe atyre do t'ua jap tërë këto vende. Të gjitha kombet e tokës do të bekohen përmes pasardhësve të tu, sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim e i mbajti urdhrin, urdhërimet, rregullat dhe ligjet e mia». Atëherë Isaku banoi në Gerar. Kur vendasit e pyetën për të shoqen, ai u tha: «Është motra ime», sepse kishte frikë se mos vendasit e vrisnin po të thoshte: «Është gruaja ime», ngaqë Rebeka ishte e bukur. Isaku qëndroi atje për një kohë të gjatë. Një herë, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po sodiste nga dritarja dhe pa Isakun duke përkëdhelur Rebekën, gruan e tij. Atëherë thirri Isakun e i tha: «Pa dyshim ajo është gruaja jote. Si munde të thuash: “Është motra ime”?». Isaku iu përgjigj: «Mendova se do të vdisja për shkak të saj». Abimeleku tha: «Ç'është kjo që na bëre? Për pak, dikush mund të flinte me gruan tënde e kështu do të na bëje fajtorë». Kështu, Abimeleku urdhëroi tërë popullin: «Kushdo që prek këtë njeri dhe gruan e tij, me të vërtetë do të vdesë». Isaku mbolli në atë vend e po atë vit korri njëqindfish. ZOTI e bekoi dhe ai u pasurua. Pasuria e tij sa vinte e shtohej derisa u bë shumë e madhe. Ai pati dhen, qe e shumë shërbëtorë. Filistinët e kishin zili, prandaj ia mbyllën e ia mbuluan me dhe të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit, në kohën e Abrahamit. Atëherë Abimeleku i tha Isakut: «Largohu, sepse je bërë më i fuqishëm se ne». Isaku u largua prej andej, fushoi në luginën e Gerarit e banoi atje. Ai i rihapi puset e hapura në kohën e Abrahamit, atit të tij, që filistinët mbyllën pas vdekjes së Abrahamit e i quajti njësoj siç i kishte quajtur i ati. Shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë e gjetën një burim me ujë të freskët. Barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut e thanë: «Uji është yni!». Ai e quajti pusin Esek, sepse ata u grindën me të. Hapën dhe një pus tjetër, por edhe për të u grindën, prandaj e quajti Sitna. Pastaj lëvizi prej andej dhe hapi një pus tjetër. Por për këtë pus nuk u grindën. Kështu, e quajti Rehobot e tha: «Tani ZOTI na ka hapur vend e aty do të shumohemi». Prej andej u nis për në Bershebë. Po atë natë ZOTI iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd. Mos ki frikë, se unë jam me ty. Do të të bekoj e do t'i shumoj pasardhësit e tu për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim». Isaku ngriti një altar dhe thirri emrin e ZOTIT. Aty vuri tendën dhe, po aty, shërbëtorët e tij hapën një pus.

Zanafilla 26:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por ndodhi një mungesë ushqimesh në vend, përveç asaj të parës që kishte ndodhur në kohën e Abrahamit. Pastaj Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i filistenjve në Gerar. Atëherë Zoti iu shfaq dhe i tha: "Mos zbrit në Egjipt, qëndro në vendin që do të të them. Qëndro në këtë vend dhe unë do të jem me ty dhe do të të bekoj, sepse kam për të të dhënë ty dhe pasardhësve të tu tërë këto vende dhe do ta mbaj betimin që i kam bërë Abrahamit, babait tënd, dhe do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t'u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhrat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia". Kështu Isaku qëndroi në Gerar. Kur njerëzit e vendit i bënin pyetje rreth gruas së tij, ai u përgjigjej: "Është motra ime", sepse kishte frikë të thoshte: "Është gruaja ime", sepse mendonte: "Njerëzit e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës, sepse ajo është e pashme". Kur kishte kaluar një kohë e gjatë në atë vend, Abimelekut, mbretit të filistenjve, i rastisi të shikojë nga dritarja dhe pa Isakun që përkëdhelte Rebekën, gruan e tij. Atëherë Abimeleku thirri Isakun dhe i tha: "Ajo është me siguri gruaja jote; si bëhet që ti the: "Ajo është motra ime"?". Isaku iu përgjigj: "Sepse thosha: "Nuk do të doja të vdes për shkak të saj"". Abimeleku tha: "Ç'është kjo që na bëre? Ndokush nga populli mund të binte lehtë në shtrat me gruan tënde dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj të rëndë". Kështu Abimeleku i dha këtë urdhër tërë popullit: "Kushdo që prek këtë njeri ose të shoqen do të dënohet pa tjetër me vdekje". Isaku mbolli në atë vend dhe po atë vit korri një prodhim njëqind herë më të madh; dhe Zoti e bekoi. Ky njeri u bë i madh dhe vazhdoi të rritet derisa u bë jashtëzakonisht i madh. Ai arriti të zotërojë kope dhensh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu filistenjtë e patën zili, dhe për këtë arsye i zunë, duke i mbushur me dhe, tërë puset që shërbëtorët e babait të tij kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij. Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu nga ne, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne". Kështu Isaku u largua që andej dhe u vendos në luginën e Gerarit, dhe aty banoi. Dhe Isaku filloi të hapë puse uji që ishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, dhe që filistenjtë i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri po ato emra që u kishte vënë babai i tij. Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë dhe gjetën aty një pus me ujë të freskët. Por barinjtë e Gerarit u grindën me çobanët e Isakut, duke u thënë: "Uji është yni". Dhe ai e quajti pusin Esek, sepse ata e kishin kundërshtuar. Shërbëtorët hapën pastaj një pus tjetër, por ata kundërshtuan edhe për këtë. Dhe Isaku e quajti Sitnah. Atëherë ai u largua që andej dhe hapi një pus tjetër për të cilin nuk pati kundërshtim. Dhe ai e quajti atë Rehoboth, sepse ai tha: "Tani Zoti na ka vënë larg dhe ne do të kemi mbarësi në këtë vend". Pastaj së këtejmi Isaku u ngjit në Beer-Sheba. Dhe Zoti iu shfaq po atë natë dhe i tha: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, babait tënd; mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të të bekoj dhe do të shumoj pasardhësit e tu, për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim". Atëherë ai ndërtoi në atë vend një altar dhe përmendi emrin e Zotit, dhe po aty ai ngriti edhe çadrën e tij. Aty shërbëtorët e Isakut hapën një pus.