Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 26

26
1Por ndodhi një mungesë ushqimesh në vend, përveç asaj të parës që kishte ndodhur në kohën e Abrahamit. Pastaj Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i filistenjve në Gerar.
2Atëherë Zoti iu shfaq dhe i tha: "Mos zbrit në Egjipt, qëndro në vendin që do të të them.
3Qëndro në këtë vend dhe unë do të jem me ty dhe do të të bekoj, sepse kam për të të dhënë ty dhe pasardhësve të tu tërë këto vende dhe do ta mbaj betimin që i kam bërë Abrahamit, babait tënd,
4dhe do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t'u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu,
5sepse Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhrat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia".
6Kështu Isaku qëndroi në Gerar.
7Kur njerëzit e vendit i bënin pyetje rreth gruas së tij, ai u përgjigjej: "Është motra ime", sepse kishte frikë të thoshte: "Është gruaja ime", sepse mendonte: "Njerëzit e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës, sepse ajo është e pashme".
8Kur kishte kaluar një kohë e gjatë në atë vend, Abimelekut, mbretit të filistenjve, i rastisi të shikojë nga dritarja dhe pa Isakun që përkëdhelte Rebekën, gruan e tij.
9Atëherë Abimeleku thirri Isakun dhe i tha: "Ajo është me siguri gruaja jote; si bëhet që ti the: "Ajo është motra ime"?". Isaku iu përgjigj: "Sepse thosha: "Nuk do të doja të vdes për shkak të saj"".
10Abimeleku tha: "Ç'është kjo që na bëre? Ndokush nga populli mund të binte lehtë në shtrat me gruan tënde dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj të rëndë".
11Kështu Abimeleku i dha këtë urdhër tërë popullit: "Kushdo që prek këtë njeri ose të shoqen do të dënohet pa tjetër me vdekje".
12Isaku mbolli në atë vend dhe po atë vit korri një prodhim njëqind herë më të madh; dhe Zoti e bekoi.
13Ky njeri u bë i madh dhe vazhdoi të rritet derisa u bë jashtëzakonisht i madh.
14Ai arriti të zotërojë kope dhensh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu filistenjtë e patën zili,
15dhe për këtë arsye i zunë, duke i mbushur me dhe, tërë puset që shërbëtorët e babait të tij kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij.
16Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu nga ne, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne".
17Kështu Isaku u largua që andej dhe u vendos në luginën e Gerarit, dhe aty banoi.
18Dhe Isaku filloi të hapë puse uji që ishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, dhe që filistenjtë i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri po ato emra që u kishte vënë babai i tij.
19Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë dhe gjetën aty një pus me ujë të freskët.
20Por barinjtë e Gerarit u grindën me çobanët e Isakut, duke u thënë: "Uji është yni". Dhe ai e quajti pusin Esek, sepse ata e kishin kundërshtuar.
21Shërbëtorët hapën pastaj një pus tjetër, por ata kundërshtuan edhe për këtë. Dhe Isaku e quajti Sitnah.
22Atëherë ai u largua që andej dhe hapi një pus tjetër për të cilin nuk pati kundërshtim. Dhe ai e quajti atë Rehoboth, sepse ai tha: "Tani Zoti na ka vënë larg dhe ne do të kemi mbarësi në këtë vend".
23Pastaj së këtejmi Isaku u ngjit në Beer-Sheba.
24Dhe Zoti iu shfaq po atë natë dhe i tha: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, babait tënd; mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të të bekoj dhe do të shumoj pasardhësit e tu, për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim".
25Atëherë ai ndërtoi në atë vend një altar dhe përmendi emrin e Zotit, dhe po aty ai ngriti edhe çadrën e tij. Aty shërbëtorët e Isakut hapën një pus.
26Pastaj Abimeleku nga Gerari shkoi tek ai bashkë me Ahucathin, mikun e tij, dhe me Pikolin, kreun e ushtrisë së tij.
27Dhe Isaku u tha atyre: "Pse keni ardhur tek unë, përderisa më urreni dhe më keni larguar prej jush?".
28Atëherë ata u përgjigjën: "Ne e pamë qartë që Zoti është me ty. Kështu thamë: "Le të bëjmë një betim midis nesh, midis nesh dhe teje, dhe të përfundojmë një aleancë me ty":
29dhe kështu ti nuk do të na bësh asnjë të keqe, ashtu si ne nuk të kemi prekur, nuk të kemi bërë veçse të mira dhe të kemi lënë të ikësh në paqe. Ti je tani i bekuari i Zotit".
30Kështu Isaku shtroi për ta një banket dhe ata hëngrën e pinë.
31Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe shkëmbyen një betim. Pastaj Isaku i përcolli dhe ata ikën në paqe.
32Po atë ditë ndodhi që shërbëtorët e Isakut erdhën për ta lajmëruar për pusin që kishin hapur duke i thënë: "Kemi gjetur ujë".
33Dhe ai e quajti atë Shibah. Për këtë arsye qyteti mban emrin Beer-Sheba edhe sot e kësaj dite.
34Në moshën dyzetvjeçare Esau mori për grua Juditin, të bijën e Beerit, hiteut dhe të Basemathit, bijë e Elonit, hiteut.
35Këto u bënë shkas për një hidhërim të thellë të Isakut dhe të Rebekës.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 26: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr