Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 17:11-21

Ezekieli 17:11-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Thuaji shtëpisë kryeneçe: a nuk e dini çfarë do të thotë kjo? Thuaj: ja, mbreti i Babilonisë erdhi në Jerusalem, mori mbretin e prijësit e tij dhe i çoi në Babiloni. Mori një pinjoll mbretëror, bëri besëlidhje me të dhe e vuri në be. Mori udhëheqësit e vendit, që të poshtërohet mbretëria e të mos ngrihet, e megjithatë ta mbante më këmbë besëlidhjen me të. Por ai ngriti krye kundër tij e i dërgoi lajmëtarë në Egjipt, që t'i jepeshin kuaj e një ushtri e madhe. A do t'i ecë mbarë? A mund të shpëtojë ai që veproi kështu? A mund ta thyejë besëlidhjen e të shpëtojë? Pasha jetën time, kumton Zoti im, ZOTI, ai do të vdesë në Babiloni, në vendin e mbretit që e vuri atë mbret, të cilit ia përçmoi betimin e ia theu besëlidhjen. As faraoni, me ushtrinë e tij të madhe e me tubimin e shumtë, nuk do t'i ndihë në betejë, kur të ngrejë stome e të vërë ledhe për të shuar shumë jetë. Ai përbuzi betimin dhe theu besëlidhjen. Ja, i dha dorën e pastaj bëri të gjitha këto. Nuk do të shpëtojë. Prandaj kështu thotë Zoti im, ZOTI: pasha jetën time do t'ia hedh kokës betimin tim që ai e përçmoi dhe besëlidhjen time që ai e theu. Do të hedh rrjetën time kundër tij e ai do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni dhe atje do ta gjykoj për tradhtinë që kreu kundër meje. Të gjithë të zgjedhurit e aradheve të tij do të bien prej shpatës dhe të mbeturit do të shpërndahen në të katër erërat. Kështu do ta merrni vesh se unë, ZOTI, kam folur.

Ezekieli 17:11-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë: "I thuaj, pra, kësaj shtëpie rebele: Nuk e merrni vesh çfarë kuptimi kanë këto gjëra? U thuaj atyre: Ja mbreti i Babilonisë erdhi në Jeruzalem, zuri mbretin dhe krerët dhe i çoi me vete në Babiloni. Pastaj mori një prej gjaku mbretëror, lidhi një besëlidhje me të dhe e vuri të betohet. Ai mori me vete edhe burrat e fuqishëm të vendit, me qëllim që mbretëria të binte dhe jo të ngrihej, por, duke respektuar besëlidhjen e tij, të mund të ishte i qëndrueshëm. Por ky u rebelua kundër tij duke dërguar ambasadorët e tij në Egjipt, me qëllim që t'i jepnin kuaj dhe shumë njerëz. A mund t'i shkojë mbarë, a mund të shpëtojë ai që ka bërë gjëra të tilla? A mund të shkelë besëlidhjen dhe megjithatë të shpëtojë? Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "ai do të vdesë në vendin ku rri mbreti që e ka bërë mbret dhe betimin e të cilit ai ka përçmuar duke shkelur edhe besëlidhjen, afër tij, në mes të Babilonisë. Faraoni nuk do t'i japë ndihmë me ushtrinë e tij të fuqishme dhe me aq njerëz në luftë, kur do të ngrenë ledhe dhe do të ndërtojnë kulla për të shfarosur shumë jetë njerëzore. Ai ka përçmuar betimin duke shkelur besëlidhjen; megjithatë, ja, mbasi dha dorën, ka bërë tërë këto gjëra. Ai nuk do të shpëtojë". Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, betimin tim që ai ka përçmuar dhe besëlidhjen time që ai ka shkelur, do të bëj që të bien mbi kokën e tij. Do të shtrij mbi të rrjetën time dhe do të kapet në lakun tim. Do ta çoj në Babiloni dhe aty do të ekzekutoj mbi të vendimin për tradhtinë e kryer kundër meje. Tërë ikanakët bashkë me formacionet e tij do të bien nga shpata, ndërsa ata që do të shpëtojnë do të shpërndahen në drejtim të të gjitha erërave. Kështu do të pranoni që unë, Zoti, kam folur".