Eksodi 34:29-35
Eksodi 34:29-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Moisiu zbriti nga mali i Sinait duke mbajtur ne dorë dy rrasat e dëshmisë. Por ai nuk e dinte që i ndrinte fytyra ngaqë kishte folur me Zotin. Kur Aroni dhe izraelitët panë sesi i ndrinte fytyra Moisiut, patën frikë t'i afroheshin. Por Moisiu i thirri. Atëherë Aroni me tërë krerët e bashkësisë u kthyen dhe ai foli me ta. Pas kësaj u afruan tërë izraelitët dhe Moisiu u urdhëroi gjithçka që ZOTI i kishte thënë në malin e Sinait. Si mbaroi së foluri me ta, Moisiu mbuloi fytyrën me vel. Kështu, sa herë që shkonte para ZOTIT për të folur, Moisiu e hiqte velin derisa largohej. Pastaj, kur dilte dhe u tregonte izraelitëve urdhërimet e Zotit, izraelitët e shikonin sesi i ndrinte fytyra. Atëherë Moisiu e vinte sërish velin dhe e mbante derisa shkonte për të folur përsëri me Zotin.
Eksodi 34:29-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Moisiu, kur zbriti nga mali i Sinait (duke zbritur nga mali Moisiu kishte në dorë dy pllakat e dëshmisë), nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëlluese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin. Kështu, kur Aaroni dhe tërë bijtë e Izraelit panë Moisiun, ja, që lëkura e fytyrës së tij ishte rrëzëlluese dhe ata kishin frikë t'i afroheshin atij. Por Moisiu i thirri dhe Aaroni dhe tërë krerët e asamblesë u rikthyen tek ai, dhe Moisiu u foli atyre. Pastaj, tërë bijtë e Izraelit u afruan, dhe ai i urdhëroi të bënin të gjitha ato që Zoti i kishte thënë në malin Sinai. Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij. Por kur Moisiu hynte përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin derisa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte. Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, derisa hynte të fliste me Zotin.