Eksodi 25:31-40
Eksodi 25:31-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Puno një shandan me ar të pastër. Baza dhe trungu i shandanit të farkëtohen. Kupat, sythat dhe fletët të jenë një me shandanin. Nga trungu i shandanit të dalin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. Dega e parë të ketë tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë dhe kështu me radhë të gjashtë degët që dalin nga shandani. Trungu i shandanit të ketë katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. Puno një syth poshtë dy degëve të para që dalin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dalin nga shandani. Sythat dhe degët të jenë një me shandanin. I tëri të farkëtohet si një trup i vetëm prej ari të pastër. Bëji shtatë llamba dhe vëri që të ndriçojnë vendin përpara. Mashat dhe kacitë e shandanit të jenë prej ari të pastër. Për të punuar shandanin dhe tërë këto enë të përdoren tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër. Bëj kujdes t'i punosh sipas gjedhes që po të tregohet në mal».
Eksodi 25:31-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Do të përgatisësh një shandan prej ari safi; shandani, këmba dhe trungu i tij do të punohen me çekiç; kupat, mollët dhe lulet e tij do të jenë një copë. Nga anët e tij do të dalin gjashtë krahë: tre krahë nga njëra anë e shandanit dhe tre krahë nga ana tjetër e tij; mbi njërin krah do të modelohen tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule, dhe mbi krahun tjetër tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule. Kështu do të veprohet për gjashtë krahët që dalin nga shandani. Në trungun e shandanit do të ketë katër kupa në formë të bajames, me mollët dhe lulet e tyre. Do të ketë një mollë poshtë dy krahëve të parë që dalin prej tij, një mollë poshtë dy krahëve të tjerë që dalin jashtë tij, dhe një mollë poshtë dy krahëve të fundit që dalin prej shandanit: kështu do të bëhet për të gjashtë krahët që dalin nga shandani. Këto mollë dhe këta krahë, do të përbëjnë tërësinë, shandani do të jetë prej ari safi dhe i punuar me çekiç. Do të bësh edhe shtatë llambat e tij, të cilat duhet të vendosen në mënyrë që të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit. Dhe tërë veglat për të lëvizur qiririn dhe mbajtësin e tij do të jenë prej ari safi. Shandani dhe veglat e tij do të bëhen me një talent prej ari të papërzier. Dhe shiko të bësh çdo gjë sipas modelit që t'u tregua në mal".