Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 25

25
Dhurata për tendën
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Thuaju izraelitëve të më kushtojnë dhurata. Pranoni dhuratat e kujtdo që i jep me gjithë zemër. 3Këto do të pranosh prej tyre: ar, argjend, bronz, 4lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, 5lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, 6vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, 7gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren. 8Të bëjnë një shenjtërore për nderin tim dhe unë do të banoj mes tyre. 9Tendën dhe tërë sendet përkatëse bëjini sipas gjedheve që po të tregoj.
Arka e dëshmisë
10Të bëjnë një arkë me dru akacieje, dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. 11Praroje me ar të pastër si brenda dhe jashtë. Punoji një kornizë të artë përreth. 12Shkrij katër rrathë të artë dhe vendosi në të katërt këmbët e arkës, dy në njërin krah dhe dy në krahun tjetër. 13Puno shufra me dru akacieje dhe praroji. 14Pastaj kaloji shufrat nëpër rrathë, në krahë të arkës, për ta mbartur. 15Shufrat të jenë gjithmonë brenda në rrathë e mos i lëvizni që andej. 16Brenda në arkë do të vendosësh dëshminë që do të të jap.
17Puno një kapak prej ari të pastër. Kjo është pajtimorja. Bëje dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. 18Puno dy kerubë të artë. Ata do t'i farkëtosh në të dyja skajet e pajtimores. 19Njëri të jetë në njërin skaj dhe tjetri në skajin tjetër. Kerubët të jenë një me pajtimoren në të dyja skajet e saj. 20Krahët t'i kenë të shtrirë lart që të mbulojnë pajtimoren me to. Të jenë përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja. 21Kapakun e pajtimores vendose mbi arkë, ndërsa në arkë vendos dëshminë që do të të jap. 22Aty mbi pajtimore, mes dy kerubëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të takohem me ty dhe do të të jap tërë urdhërimet për izraelitët.
Tryeza e bukëve të kushtuara
23Puno një tryezë me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. 24Praroje me ar të pastër dhe bëji përreth një kornizë të artë. 25Vër përreth tryezës një buzë, një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëj një kornizë të artë. 26Puno katër rrathë të artë dhe vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. 27Ato të jenë pranë buzës së tryezës, që shufrat të kalohen për të mbartur tryezën. 28Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. Me to do të mbartësh tryezën. 29Tasat, kupat, kanat dhe brokat e tryezës që përdoren për fli stërpikjeje bëji prej ari të pastër. 30Mbi tryezë vendos përherë bukë të kushtuara për mua.
Shandani
31Puno një shandan me ar të pastër. Baza dhe trungu i shandanit të farkëtohen. Kupat, sythat dhe fletët të jenë një me shandanin. 32Nga trungu i shandanit të dalin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. 33Dega e parë të ketë tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë dhe kështu me radhë të gjashtë degët që dalin nga shandani. 34Trungu i shandanit të ketë katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. 35Puno një syth poshtë dy degëve të para që dalin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dalin nga shandani. 36Sythat dhe degët të jenë një me shandanin. I tëri të farkëtohet si një trup i vetëm prej ari të pastër. 37Bëji shtatë llamba dhe vëri që të ndriçojnë vendin përpara. 38Mashat dhe kacitë e shandanit të jenë prej ari të pastër. 39Për të punuar shandanin dhe tërë këto enë të përdoren tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër. 40Bëj kujdes t'i punosh sipas gjedhes që po të tregohet në mal».

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 25: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr