Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 1:9-22

Eksodi 1:9-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ai i tha popullit të tij: «Ja, populli i Izraelit është më i madh e më i fuqishëm se ne! Ejani, të tregohemi të zgjuar me ta, përndryshe do të shtohen dhe, në rast lufte, do të bashkohen me armiqtë tanë. Do të na luftojnë e do të largohen nga ky vend». Kështu, caktuan mbikëqyrës skllevërish që t'i shtypnin me punë të detyruar. Bijtë e Izraelit ndërtuan për faraonin qytetet-depo të Pitomit e të Ramsesit. Por, sa më shumë që i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin. Egjiptianët filluan t'i kishin frikë bijtë e Izraelit. Egjiptianët i munduan si skllevër bijtë e Izraelit. Ua nxinë jetën me punë të rënda duke i detyruar të bënin llaç e tulla dhe çdo lloj pune në fushë. Ua morën shpirtin në të gjitha punët që bënin. Mbreti i Egjiptit foli edhe me mamitë e hebrenjve. Njëra prej tyre quhej Sifra, ndërsa tjetra Pua. Ai u tha: «Kur të ndihmoni gratë hebreje gjatë lindjes, nëse shihni se foshnja është djalë, vriteni, por nëse është vajzë, lëreni të rrojë». Mamitë i druheshin Perëndisë dhe nuk bënë siç u tha mbreti i Egjiptit. Ato i lanë gjallë foshnjat meshkuj. Atëherë mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e u tha: «Përse po i mbani gjallë djemtë?». Ato i thanë faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si egjiptianet. Janë të forta dhe lindin para se t'iu vijë mamia». Perëndia u tregua i mirë me mamitë dhe populli u shtua e u bë shumë i fortë. Meqë mamitë i druheshin Perëndisë, ai u dha trashëgimtarë. Atëherë faraoni e urdhëroi tërë popullin e tij: «Hidhni në Nil çdo djalë që lind, ndërsa vajzat lërini gjallë!».

Eksodi 1:9-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi". Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t'i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses. Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit, dhe egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t'u shërbenin me ashpërsi, dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t'i bënin tërë këto punë me ashpërsi. Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha: "Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t'i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë". Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj. Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?". Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t'u vijë mamia pranë". Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë. Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete. Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë