Efesianëve 5:1-33
Efesianëve 5:1-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kështu pra, bëhuni shkërbim i Perëndisë, se jeni bijtë e tij të dashur. Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëkëndshme për Perëndinë. Por kurvëria e çdo ndyrësi a lakmi as të mos përmenden ndër ju, se kështu u ka hije të shenjtëve. As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë. Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të kenë trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë. Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta. Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës, sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta. Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin. Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini. Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë, por kur dalin në dritë, bëhen të dukshme. Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet: Zgjohu, o ti që fle! Ngrihu prej të vdekurve e Krishti do të shndritë mbi ty. Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka. Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë. Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.
Efesianëve 5:1-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur, edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë. Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falënderime. Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë. Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Mos jini, pra, shokë me ta. Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës, sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë, duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë. Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t'i qortoni, sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen. Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë. Prandaj Shkrimi thotë: ''Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty''. Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit. Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë, duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht; nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit! Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t'i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t'i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme. Kështu burrat duhet t'i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij. ''Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm''. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.