Efesianëve 5:1-33
Kështu pra, bëhuni shkërbim i Perëndisë, se jeni bijtë e tij të dashur. Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëkëndshme për Perëndinë. Por kurvëria e çdo ndyrësi a lakmi as të mos përmenden ndër ju, se kështu u ka hije të shenjtëve. As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë. Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të kenë trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë. Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta. Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës, sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta. Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin. Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini. Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë, por kur dalin në dritë, bëhen të dukshme. Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet: Zgjohu, o ti që fle! Ngrihu prej të vdekurve e Krishti do të shndritë mbi ty. Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka. Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë. Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.
Efesianëve 5:1-33