Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Efesianëve 4:17-32

Efesianëve 4:17-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij. Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t'i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. Mos i bëni vend djallit. Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t'i dhënë atij që ka nevojë. Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë. Mos e brengosni Shpirtin e shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit. Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje, si dhe çdo ligësi. Përkundrazi, jini të mirë e të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit.

Efesianëve 4:17-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin, në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qenë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin, që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës. Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t'i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njëri me tjetrin. Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit. Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t'i japë diçka atij që ka nevojë. Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t'u japë hir atyre që dëgjojnë. Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit. Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë