Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra.
Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij.
Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t'i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. Mos i bëni vend djallit.
Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t'i dhënë atij që ka nevojë.
Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë.
Mos e brengosni Shpirtin e shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit.
Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje, si dhe çdo ligësi.
Përkundrazi, jini të mirë e të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit.