Ligji i Përtërirë 6:1-12
Ligji i Përtërirë 6:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Këto janë urdhërimet, rregullat e vendimet që më urdhëroi ZOTI, Perëndia juaj, për t'jua mësuar, që t'i zbatoni në tokën ku po kaloni për ta pushtuar, me qëllim që ta druash ZOTIN, Perëndinë tënd, e t'i mbash gjatë gjithë jetës tërë rregullat e urdhërimet e tij, të cilat po t'i urdhëroj ty, bijve e nipave të tu. Kështu do të kesh jetë të gjatë. Dëgjo Izrael, zbatoji ato me kujdes, që të të shkojë mbarë e të shumohesh në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të tha ZOTI, Perëndia i etërve të tu. Dëgjo Izrael! ZOTI, Perëndia ynë, është një ZOT i vetëm. Duaje ZOTIN, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë forcën tënde. Mbaji në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Përsëritja fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. Lidhi si shenjë në dorë e si shirit në ballë. Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja. Kur ZOTI, Perëndia yt, të të sjellë në tokën, për të cilën iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut, Jakobit, se do të ta japë ty; kur të të sjellë në qytete të mira e të mëdha, që nuk i ke ndërtuar vetë, në shtëpi plot me të mira, për të cilat nuk ke punuar vetë, në puse, që nuk i ke hapur vetë, në vreshta e ullishta që nuk i ke mbjellë vetë dhe kur të kesh për të ngrënë sa të ngopesh, kujdes se mos harron ZOTIN që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.
Ligji i Përtërirë 6:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ky është urdhërimi, statutet dhe dekretet që Zoti, Perëndia juaj, ka urdhëruar t'ju mësojë, për t'i zbatuar në vendin në të cilin po hyni për ta marrë në zotërim; me qëllim që ti të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të respektosh gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, yt bir dhe djali i birit tënd, të tëra statutet dhe të gjitha urdhërimet e tij që unë po të jap, dhe me qëllim që ditët e jetës sate të zgjaten. Dëgjo, pra, Izrael, dhe ki kujdes t'i zbatosh në praktikë, me qëllim që të njohësh begatinë dhe të shumëzohesh me të madhe në vendin ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu. Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t'i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t'i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua. Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar, dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur, ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.