Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 6

6
Urdhërimet
1«Këto janë urdhërimet, rregullat e vendimet që më urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, për t'jua mësuar, që t'i zbatoni në tokën ku po kaloni për ta pushtuar, 2me qëllim që ta druash Zotin, Perëndinë tënd, e t'i mbash gjatë gjithë jetës tërë rregullat e urdhërimet e tij, të cilat po t'i urdhëroj ty, bijve e nipave të tu. Kështu do të kesh jetë të gjatë. 3Dëgjo Izrael, zbatoji ato me kujdes, që të të shkojë mbarë e të shumohesh në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu.
4Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është një Zot i vetëm. 5Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë forcën tënde. 6Mbaji në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. 7Përsëritja fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. 8Lidhi si shenjë në dorë e si shirit në ballë. 9Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja.
Mosbindja
10Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën, për të cilën iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut, Jakobit, se do të ta japë ty; kur të të sjellë në qytete të mira e të mëdha, që nuk i ke ndërtuar vetë, 11në shtëpi plot me të mira, për të cilat nuk ke punuar vetë, në puse, që nuk i ke hapur vetë, në vreshta e ullishta që nuk i ke mbjellë vetë dhe kur të kesh për të ngrënë sa të ngopesh, 12kujdes se mos harron Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. 13Zotin, Perëndinë tënd, do të druash, atij do t'i shërbesh e në emër të tij do të betohesh. 14Mos shkoni pas perëndive të tjerë, pas perëndive të popujve që janë përreth jush, 15sepse Zoti, Perëndia yt, që është në mesin tënd, është Perëndi xheloz. Ai do të zemërohet me ty e do të të shfarosë prej faqes së dheut.
16Mos e tundoni Zotin, Perëndinë tuaj, siç vepruat në Masë. 17Mbajini me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe dëshmitë e rregullat që ju dha. 18Bëj çka është e mirë dhe e drejtë para Zotit, që të të shkojë mbarë e që të pushtosh tokën e mirë për të cilën Zoti iu betua etërve të tu, 19duke i zbuar armiqtë e tu, siç tha Zoti.
20Kur, në të ardhmen, të të pyesë yt bir: “Çfarë kuptimi kanë dëshmitë, rregullat e vendimet që ju urdhëroi Zoti, Perëndia ynë?”, 21atëherë do t'i thuash: “Ne ishim skllevër të faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme. 22Ai bëri para syve tanë shenja e mrekulli të mëdha e të tmerrshme kundër Egjiptit, kundër faraonit e kundër gjithë shtëpisë së tij. 23Na nxori prej andej, që të na sillte e të na jepte tokën për të cilën iu betua etërve tanë. 24Zoti na urdhëroi t'i zbatojmë të gjitha këto rregulla e ta druajmë Zotin, Perëndinë tonë, që të na shkojë mbarë jeta e të na mbajë gjallë, sikurse jemi sot. 25Nëse e zbatojmë me kujdes tërë këtë ligj para Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na urdhëroi, atëherë do të jemi të drejtë”».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i përtërirë 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë