Veprat e Apostujve 7:54-60
Veprat e Apostujve 7:54-60 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë. Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul. Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.
Veprat e Apostujve 7:54-60 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij. Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë, dhe tha: ''Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë''. Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të; dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul. Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''. Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.