Veprat e Apostujve 7:1-19
Veprat e Apostujve 7:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?». Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t'ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t'i skllavëronin e do t'i keqtrajtonin për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t'i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend. Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet. Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit. Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem. Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t'i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.
Veprat e Apostujve 7:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë kryeprifti i tha: ''A janë këto gjëra pikërisht kështu?''. Ai tha: ''Vëllezër dhe etër, dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq Abrahamit, atit tonë, kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran, dhe i tha: "Dil prej vendit tënd e prej farefisit tënd dhe shko në vendin që unë do të të tregoj". Atëherë ai doli nga vendi i kaldeasve dhe banoi në Haran; prej andej, mbasi i vdiq i ati, Perëndia e bëri të vijë në këtë vend, ku banoni ju tani. Ai nuk i dha kurrfarë trashëgimie, as edhe vend për të vënë një këmbë. Por i premtoi t'ia japë për pronë atij dhe pasardhësve të tij, pas tij, kur ai ende s'kishte asnjë fëmijë. Dhe Perëndia foli kështu: "Pasardhësit e tij do të banonin si të huaj në një vend të huaj, dhe atje do të mbaheshin në skllavëri dhe do të të keqtrajtoheshin për katërqind vjet. Por Perëndia shtoi: "Unë do ta gjykoj atë komb të cilit ata do t'i shërbejnë; dhe pas kësaj ata do të dalin dhe do të më shërbejnë në këtë vend". Pastaj i dha atij besëlidhjen e rrethprerjes. Dhe kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu të tetën ditë; Isakut i lindi Jakobi, dhe Jakobit dymbëdhjetë patriarkë. Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të; dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij. Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime. Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë. Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit. Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta. Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë. Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit. Por, ndërsa po afrohej koha e premtimit që Perëndia i ishte betuar Abrahamit, populli u shtua dhe u shumua në Egjipt, derisa doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin. Ky, duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë derisa t'i ekspozojnë foshnjat e tyre, që të mos mbeteshin gjallë.