Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 10:34-48

Veprat e Apostujve 10:34-48 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Pjetri filloi t'u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia. Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave. Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, dhe tregon sesi Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e shenjtë e me fuqi, sesi ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të. Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem. Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit, por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t'i shfaqej jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve. Jezui na urdhëroi t'i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve. Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij». Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin. Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të shenjtë iu dha edhe kombeve dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha: «A mund t'ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e shenjtë sikurse edhe ne?». Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.

Veprat e Apostujve 10:34-48 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: ''Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai, sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve. Ju e dini se ç'ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni: se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të. Dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që ai bëri në vendin e Judesë dhe në Jeruzalem; dhe se si ata e vranë, duke e varur në një dru. Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet, jo mbarë popullit, por dëshmitarëve të paracaktuar nga Perëndia, neve, që hëngrëm dhe pimë me të, mbasi ai u ngjall së vdekuri. Tani ai na urdhëroi t'i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gjallëve dhe të të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij''. Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën. Dhe të gjithë besimtarët që ishin të rrethprerë, të cilët kishin ardhur me Pjetrin, u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u shpërnda edhe mbi johebrenjtë, sepse i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri filloi të thotë: ''A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?''. Kështu ai urdhëroi që ata të pagëzoheshin në emër të Zotit Jezus. Ata pastaj iu lutën të qëndronte disa ditë me ta.