Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Timoteut 2:14-26

2 Timoteut 2:14-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Këto gjëra t'ua kujtosh të gjithëve, duke iu përbetuar para Perëndisë të mos grinden me fjalë që nuk sjellin asnjë dobi, por çojnë në shkatërrim ata që i dëgjojnë. Mundohu të dalësh i sprovuar para Perëndisë, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që e shpjegon drejt fjalën e së vërtetës. Shmangu nga fjalët e zbrazëta që janë kundër besimit, sepse ato do të shtojnë mosbesimin e njerëzve dhe fjalët e tyre do të përhapen si gangrenë. Ndër ta janë Himeneu e Fileti, që dolën nga udha e së vërtetës, duke thënë se ngjallja tashmë ka ndodhur dhe kështu po përmbysin besimin e disave. Megjithatë, themelet e forta që vuri Perëndia qëndrojnë të patundura dhe mbajnë këtë vulë: Zoti i njeh të vetët dhe: «Le të largohet nga paudhësia kushdo që thërret emrin e Zotit». Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe prej druri e balte; disa për nderim, të tjerat për përçmim. Prandaj, kush e pastron veten nga këto gjëra, do të jetë enë për nderim, e shenjtëruar, e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë. Braktisi epshet rinore dhe rend pas drejtësisë, besimit, dashurisë e paqes, bashkë me ata që i thërrasin Zotit me zemër të pastër. Shmang edhe bisedat e marra e pa kuptim, duke e ditur se sjellin grindje. Shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet, por duhet të jetë i butë me të gjithë, mësues i zoti, që duron të keqen, që i udhëzon me butësi kundërshtarët, me shpresën se Perëndia do t'i bëjë të pendohen për të njohur të vërtetën. Kështu ata mund të vijnë në vete e të dalin nga kurthi i djallit, i cili i mban robër të vullnetit të tij.

2 Timoteut 2:14-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë. Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës. Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi, dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti, të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave. Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët", dhe: "Le t'i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit". Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar. Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë. Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër. Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje. Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.