Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 7:18-29

2 i Samuelit 7:18-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Davidi hyri brenda, u ul para ZOTIT dhe tha: «Kush jam unë, o ZOT, Zoti im, dhe çfarë është shtëpia ime që më solle deri këtu? E kjo ishte veç një gjë e vogël në sytë e tu, o ZOT, Zoti im. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Vallë kështu sillesh me njerëzit e tjerë, o ZOT, Zoti im? Çfarë mund të thotë më shumë për ty Davidi? O ZOT, Zoti im, ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. Ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha dhe ia shfaqe shërbëtorit tënd për hir të fjalës sate dhe sipas zemrës sate. Ti je i madh, o ZOT, Zoti im. Nuk ka si ti dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti bëre emër për vete, vepra të mëdha e të mahnitshme për tokën tënde para popullit tënd që e shpengove nga Egjipti, nga kombet dhe idhujt e tyre. E caktove popullin tënd, Izraelin, të jetë përherë populli yt dhe ti, o ZOT, u bëre Perëndia i tyre. Tani, o ZOT Perëndi, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. Emri yt u madhëroftë përgjithmonë kështu: “ZOTI i ushtrive është Perëndia i Izraelit” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, sepse ti, o ZOT i ushtrive, Perëndia i Izraelit, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt mori zemër të bënte këtë lutje para teje. Tani, o ZOT, Zoti im, ti je Perëndi dhe fjalët e tua janë të vërteta. Ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. Tani, denjo ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti o ZOT, Zoti im, ke folur. Qoftë përherë e bekuar me bekimet e tua shtëpia e shërbëtorit tënd!».

2 i Samuelit 7:18-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë mbreti David shkoi dhe u ul përpara Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot, o Zot, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu? Por kjo ishte akoma një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, o Zot, sepse ti ke folur edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët; dhe ky është ligji i njeriut, o Zot, o Zot. Çfarë mund të të thoshte më tepër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot, o Zot! Për dashurinë e fjalës sate dhe sipas zemrës sate ke bërë tërë këto gjëra të mëdha, me qëllim që t'ia bësh të njohur shërbëtorit tënd. Për këtë je i madh, o Zot, o Perëndi. Asnjeri nuk është si ti dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, me sa kemi dëgjuar me veshët tona. Dhe kush është si populli yt, si Izraeli, i vetmi komb mbi dhe që Perëndia erdhi ta shpengojë për vete si popullin e tij për të bërë emër dhe për të kryer për ty vepra të mëdha dhe të tmerrshme për tokën tënde përpara popullit tënd, të cilin e ke shpenguar për vete nga Egjipti, nga kombet e perëndive të tyre? Dhe ti ke vendosur për vete që populli yt i Izaelit, të jetë populli yt përgjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tij. Dhe tani, o Zot, o Perëndi, fjalën që ke thënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij mbaje të qëndrueshme përgjithnjë dhe vepro ashtu si ke thënë, me qëllim që emri yt të lavdërohet përjetë dhe të thuhet: "Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit". Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje! Sepse ti, o Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia ke treguar këtë shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Unë do të ndërtoj një shtëpi për ty". Prandaj shërbëtori yt pati guximin të të drejtojë këtë lutje. Dhe tani, o Zot, o Zot, ti je Perëndia, fjalët e tua janë të vërteta, dhe i ke premtuar këto gjëra të bukura shërbëtorit tënd. Prandaj tani prano të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, në mënyrë që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse ti, o Zot, o Zot, ke folur, dhe si pasojë e bekimit tënd shtëpia e shërbëtorit tënd do të jetë e bekuar përjetë!".