Atëherë Davidi hyri brenda, u ul para ZOTIT dhe tha: «Kush jam unë, o ZOT, Zoti im, dhe çfarë është shtëpia ime që më solle deri këtu? E kjo ishte veç një gjë e vogël në sytë e tu, o ZOT, Zoti im. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Vallë kështu sillesh me njerëzit e tjerë, o ZOT, Zoti im? Çfarë mund të thotë më shumë për ty Davidi? O ZOT, Zoti im, ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. Ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha dhe ia shfaqe shërbëtorit tënd për hir të fjalës sate dhe sipas zemrës sate. Ti je i madh, o ZOT, Zoti im. Nuk ka si ti dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti bëre emër për vete, vepra të mëdha e të mahnitshme për tokën tënde para popullit tënd që e shpengove nga Egjipti, nga kombet dhe idhujt e tyre. E caktove popullin tënd, Izraelin, të jetë përherë populli yt dhe ti, o ZOT, u bëre Perëndia i tyre. Tani, o ZOT Perëndi, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. Emri yt u madhëroftë përgjithmonë kështu: “ZOTI i ushtrive është Perëndia i Izraelit” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, sepse ti, o ZOT i ushtrive, Perëndia i Izraelit, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt mori zemër të bënte këtë lutje para teje. Tani, o ZOT, Zoti im, ti je Perëndi dhe fjalët e tua janë të vërteta. Ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. Tani, denjo ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti o ZOT, Zoti im, ke folur. Qoftë përherë e bekuar me bekimet e tua shtëpia e shërbëtorit tënd!».