2 i Samuelit 22:1-25
2 i Samuelit 22:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha: "Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im, Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna! Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi. Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar. Dhembjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve. Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij. Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim. Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij. Ai i uli qiejt dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij. Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës. Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit. Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij. Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij. Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau. Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij. Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha. Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im, ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej. Zoti më ka shpërblyer sipas së drejtës sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia, sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im. Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij. Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë. Prandaj Zoti më ka dhënë sipas së drejtës sime, sipas pastërtisë sime përpara syve të tij.
2 i Samuelit 22:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Davidi i drejtoi ZOTIT fjalët e kësaj kënge ditën që ZOTI e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit e tha: «ZOTI është shkëmbi im, fortesa ime e çliruesi im, është Perëndia im, shkrepi ku gjej strehë. Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, ai është kështjella ime. Lavdi pastë ZOTI! I thirra dhe nga armiqtë shpëtova. Valët e vdekjes më mbërthyen, përrenj shkatërrimi më tmerruan. Leqet e skëterrës më rrethuan, më zunë pritë grackat e vdekjes. Kur u gjenda ngushtë, i thirra ZOTIT, i thirra Perëndisë tim. Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim, klithma ime arriti te veshët e tij. Ndaj toka u trand e u tund, themelet e qiejve u shkundën e luajtën vendit, prej zjarrit të zemërimit të tij. Tym doli nga flegrat e hundës së tij e nga goja e tij zjarr shkrumbues. Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan. Qiejt i uli e zbriti poshtë, me një re të errët nën këmbë. Hipur mbi një kerub fluturoi, u shfaq mbi krahët e erës. Errësirën e hodhi rreth vetes, tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta. Prej shkëlqimit të tij flakëronte prush i zjarrtë. ZOTI bëri të gjëmojnë qiejt, i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri. Shigjetat e tij dërgoi dhe i shpërndau, me rrufe i gjuajti e i shpartalloi. Burimet e deteve u dukën, themelet e tokës u zbuluan, prej qortimit tënd, o ZOT, prej shfryrjes së flegrave të tua. Dorën shtriu nga lart e më kapi, më nxori prej ujërave të shumtë. Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm, nga ata që më urrenin, që ishin më të fortë se unë. M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime, por ZOTI u bë përkrahësi im. Më nxori në vend të hapur, më shpëtoi se më kishte për zemër. Kështu bëri ZOTI me mua, se jam i drejtë, kështu më shpërbleu, se të pastra duart i kam. Udhët e ZOTIT kam ndjekur e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi. Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh, nga rregullat e tij nuk shmangem. Kam qenë i ndershëm me të dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur. ZOTI më shpërbleu se jam i drejtë, se e pa që jam i pastër.