Davidi i drejtoi ZOTIT fjalët e kësaj kënge ditën që ZOTI e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit e tha:
«ZOTI është shkëmbi im,
fortesa ime e çliruesi im,
është Perëndia im,
shkrepi ku gjej strehë.
Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim,
ai është kështjella ime.
Lavdi pastë ZOTI!
I thirra dhe nga armiqtë shpëtova.
Valët e vdekjes më mbërthyen,
përrenj shkatërrimi më tmerruan.
Leqet e skëterrës më rrethuan,
më zunë pritë grackat e vdekjes.
Kur u gjenda ngushtë, i thirra ZOTIT,
i thirra Perëndisë tim.
Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim,
klithma ime arriti te veshët e tij.
Ndaj toka u trand e u tund,
themelet e qiejve u shkundën e luajtën vendit,
prej zjarrit të zemërimit të tij.
Tym doli nga flegrat e hundës së tij
e nga goja e tij zjarr shkrumbues.
Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan.
Qiejt i uli e zbriti poshtë,
me një re të errët nën këmbë.
Hipur mbi një kerub fluturoi,
u shfaq mbi krahët e erës.
Errësirën e hodhi rreth vetes,
tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta.
Prej shkëlqimit të tij
flakëronte prush i zjarrtë.
ZOTI bëri të gjëmojnë qiejt,
i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri.
Shigjetat e tij dërgoi dhe i shpërndau,
me rrufe i gjuajti e i shpartalloi.
Burimet e deteve u dukën,
themelet e tokës u zbuluan,
prej qortimit tënd, o ZOT,
prej shfryrjes së flegrave të tua.
Dorën shtriu nga lart e më kapi,
më nxori prej ujërave të shumtë.
Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm,
nga ata që më urrenin,
që ishin më të fortë se unë.
M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime,
por ZOTI u bë përkrahësi im.
Më nxori në vend të hapur,
më shpëtoi se më kishte për zemër.
Kështu bëri ZOTI me mua,
se jam i drejtë,
kështu më shpërbleu,
se të pastra duart i kam.
Udhët e ZOTIT kam ndjekur
e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi.
Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh,
nga rregullat e tij nuk shmangem.
Kam qenë i ndershëm me të
dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.
ZOTI më shpërbleu se jam i drejtë,
se e pa që jam i pastër.