Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 16:1-14

2 i Samuelit 16:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Davidi sapo kishte kaluar majën e malit, kur i doli para Cibai, shërbëtori i Mefiboshetit, me dy gomarë të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta verore dhe një kacek verë. Mbreti i tha Cibait: «Për çfarë të duhen këto?». Cibai iu përgjigj: «Gomarët do t'i shërbejnë shtëpisë së mbretit për rrugëtimin, buka dhe frutat do të jenë ushqim për të rinjtë, ndërsa vera, pije për ata që do të këputen nga lodhja e shkretëtirës». Mbreti i tha: «Ku është biri i zotërisë sate?». Cibai iu përgjigj: «U ndal në Jerusalem, sepse mendon se sot shtëpia e Izraelit do t'ia kthejë mbretërinë e të atit». Mbreti i tha Cibait: «Qoftë e jotja, pra, gjithçka që i përkiste Mefiboshetit!». Cibai iu përgjigj: «Përkulem para teje. Gjetsha hir në sytë e tu, o imzot, mbret». Kur mbreti David mbërriti në Bahurim, i doli para një burrë prej farefisit të Saulit. Ai quhej Shime dhe ishte biri i Gerait. Shimei ecte e mallkonte dhe hidhte gurë kundër Davidit, kundër mbarë popullit dhe kundër të gjithë luftëtarëve djathtas e majtas mbretit. Shimei mallkonte e thoshte: «Ik, ik, o njeri gjakatar, o njeri i poshtër! ZOTI e hodhi mbi ty të gjithë gjakun e shtëpisë së Saulit, sepse i more mbretërinë. ZOTI ia dha mbretërimin birit tënd, Absalomit. Të gjeti e zeza, se je njeri gjakatar». Atëherë Abishai, biri i Cerujahut, i tha mbretit: «Pse po e mallkon zotërinë tim, mbretin, ky qen i ngordhur? Më lër t'ia pres kokën!». Por mbreti i tha: «Ç'punë kam unë me ju, o bijtë e Cerujahut? Nëse ai po mallkon, sepse i ka thënë ZOTI të mallkojë Davidin, atëherë kush mund t'i thotë: “Përse po mallkon?”». Davidi i tha Abishait dhe të gjithë shërbëtorëve të tij: «Edhe im bir, që ka dalë prej meje, kërkon të ma marrë jetën! Aq më tepër ky benjaminas. Lëreni të mallkojë, se kështu i ka thënë ZOTI. Ndoshta ZOTI e sheh mjerimin tim dhe, në vend të mallkimit të sotëm, më sjell bekim». Atëherë Davidi dhe luftëtarët e tij vijuan rrugën, ndërsa Shimei ecte shpatit të malit, krahas tyre, duke mallkuar, duke gjuajtur me gurë e duke ngritur pluhur. Mbreti e mbarë populli mbërritën të këputur dhe aty morën veten.

2 i Samuelit 16:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Davidi sapo e kishte kaluar majën e malit; kur ja, Tsiba, shërbëtor i Mefiboshethit, i doli përpara me gomarë me samar dhe të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një calik me verë. Mbreti i tha Tsibas: "Ç'ke ndërmend të bësh me këto gjëra?". Tsiba iu përgjigj: "Gomarët do t'i shërbejnë shtëpisë së mbretit për të hipur; buka dhe frutat e verës do të përdoren për të ushqyer të rinjtë, dhe vera do të pihet nga ata që do të jenë të lodhur në shkretëtirë". Mbreti tha: "Ku është biri i zotërisë tënd?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Ja, mbeti në Jeruzalem, sepse tha: "Sot shtëpia e Izraelit do të më kthejë mbretërinë e atit tim"". Atëherë mbreti i tha Tsibas: "Ja, të gjitha ato që janë pronë e Mefiboshethit janë të tua". Tsiba iu përgjigj: "Unë po bie përmbys para teje. Paça hirin tënd, o mbret, o imzot!". Kur mbreti David arriti në Bahurim, që andej doli një njeri që ishte i fisit të shtëpisë së Saulit, ai quhej Shimei dhe ishte bir i Gerit. Ai po dilte duke shqiptuar mallkime, dhe hidhte gurë kundër Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të mbretit David, ndërsa tërë populli dhe tërë trimat ishin radhitur në të djathtë dhe në të majtë të mbretit. Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: "Shko, pra, shko, njeri gjakatar dhe i kobshëm! Zoti ka bërë që mbi kokën tënde të bjerë gjaku i shtëpisë së Saulit, në vend të cilit ti ke mbretëruar; dhe Zoti e ka dhënë mbretërinë në duart e Absalomit, birit tënd; dhe ja, tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar". Atëherë Abishai, bir i Tserajahut, i tha mbretit: "Pse ky qen i ngordhur duhet të mallkojë mbretin, zotërinë time? Të lutem, më lër të shkoj t'i pres kokën!". Por mbreti iu përgjigj: "Ç'kam të bëj unë me ju, bijtë e Tserujahut? Prandaj lëreni të mallkojë, sepse Zoti i ka thënë: "Mallko Davidin!". Dhe kush mund të thotë: "Pse silleni kështu?" Pastaj Davidi i tha Abishait dhe tërë shërbëtorëve të tij: "Ja, im bir, që ka dalë nga barku im, kërkon të më heqë jetën aq më shumë dhe ky Beniaminit! Lëreni të rrijë dhe të mallkojë, sepse ia ka urdhëruar Zoti. Ndoshta Zoti do ta shohë hidhërimin tim dhe do të më bëjë të mira në vend të mallkimeve që më drejton sot". Kështu Davidi dhe njerëzit e tij e vazhduan rrugën e tyre; edhe Shimei ecte anës së malit, përballë Davidit, dhe rrugës e mallkonte atë, i hidhte gurë dhe pluhur. Mbreti dhe tërë njerëzit që ishin me të arritën në vendin e caktuar të lodhur, dhe aty e morën veten.