Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 16:1-14

2 Samuelit 16:1-14 AL1

Davidi sapo kishte kaluar majën e malit, kur i doli para Cibai, shërbëtori i Mefiboshetit, me dy gomarë të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta verore dhe një kacek verë. Mbreti i tha Cibait: «Për çfarë të duhen këto?». Cibai iu përgjigj: «Gomarët do t'i shërbejnë shtëpisë së mbretit për rrugëtimin, buka dhe frutat do të jenë ushqim për të rinjtë, ndërsa vera, pije për ata që do të këputen nga lodhja e shkretëtirës». Mbreti i tha: «Ku është biri i zotërisë sate?». Cibai iu përgjigj: «U ndal në Jerusalem, sepse mendon se sot shtëpia e Izraelit do t'ia kthejë mbretërinë e të atit». Mbreti i tha Cibait: «Qoftë e jotja, pra, gjithçka që i përkiste Mefiboshetit!». Cibai iu përgjigj: «Përkulem para teje. Gjetsha hir në sytë e tu, o imzot, mbret». Kur mbreti David mbërriti në Bahurim, i doli para një burrë prej farefisit të Saulit. Ai quhej Shime dhe ishte biri i Gerait. Shimei ecte e mallkonte dhe hidhte gurë kundër Davidit, kundër mbarë popullit dhe kundër të gjithë luftëtarëve djathtas e majtas mbretit. Shimei mallkonte e thoshte: «Ik, ik, o njeri gjakatar, o njeri i poshtër! ZOTI e hodhi mbi ty të gjithë gjakun e shtëpisë së Saulit, sepse i more mbretërinë. ZOTI ia dha mbretërimin birit tënd, Absalomit. Të gjeti e zeza, se je njeri gjakatar». Atëherë Abishai, biri i Cerujahut, i tha mbretit: «Pse po e mallkon zotërinë tim, mbretin, ky qen i ngordhur? Më lër t'ia pres kokën!». Por mbreti i tha: «Ç'punë kam unë me ju, o bijtë e Cerujahut? Nëse ai po mallkon, sepse i ka thënë ZOTI të mallkojë Davidin, atëherë kush mund t'i thotë: “Përse po mallkon?”». Davidi i tha Abishait dhe të gjithë shërbëtorëve të tij: «Edhe im bir, që ka dalë prej meje, kërkon të ma marrë jetën! Aq më tepër ky benjaminas. Lëreni të mallkojë, se kështu i ka thënë ZOTI. Ndoshta ZOTI e sheh mjerimin tim dhe, në vend të mallkimit të sotëm, më sjell bekim». Atëherë Davidi dhe luftëtarët e tij vijuan rrugën, ndërsa Shimei ecte shpatit të malit, krahas tyre, duke mallkuar, duke gjuajtur me gurë e duke ngritur pluhur. Mbreti e mbarë populli mbërritën të këputur dhe aty morën veten.