Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 12:1-23

2 i Samuelit 12:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI dërgoi Natanin te Davidi. Ai shkoi te Davidi e i tha: «Na ishin njëherë dy veta që jetonin në një qytet. Njëri ishte i pasur e tjetri i varfër. I pasuri kishte shumë dhen e qe, ndërsa i varfri s'kishte asgjë, përveç një qengji të vogël që e kishte blerë. E ushqeu dhe e rriti bashkë me fëmijët e vet. I jepte të hante prej bukës së vet e të pinte prej gotës së vet. E mbante në krah dhe e kishte si fëmijë. Një herë, te pasaniku erdhi një shtegtar. Ai nuk i shtroi të hante as delen e as lopën e vet, por mori qengjin e të varfrit dhe e gatoi për bujtësin». Davidi u zemërua fort e i tha Natanit: «Pasha ZOTIN, ky njeri duhet vrarë për këtë që bëri! Për çfarë bëri dhe meqë u tregua i pashpirt, katërfish do ta paguajë qengjin». Natani i tha Davidit: «Ky njeri je ti! Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: unë të vajosa mbret mbi Izraelin, të shpëtova nga dora e Saulit, të dhashë shtëpinë dhe gratë e zotërisë tënd, të dhashë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës. Po të mos mjaftonin këto do të të kisha dhënë edhe më shumë. Pse e përçmove fjalën e ZOTIT dhe bërë keq në sytë e tij? E godite me shpatë Urjah Hititin dhe të shoqen ia more për grua. Ti e vrave me shpatën e amonitëve. Prandaj kurrë nuk do të hiqet shpata prej shtëpisë sate, se më përçmove dhe more për grua gruan e Urjah Hititit. Kështu thotë ZOTI: ja, do të të zërë e keqja e shtëpisë sate. Do të t'i marr gratë para syve, do t'ia jap të afërtit tënd e ai do të shkojë me to ditën për diell. Ti veprove fshehurazi, ndërsa unë do ta bëj të gjithë këtë ditën për diell e para gjithë Izraelit». Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër ZOTIT». Natani i tha Davidit: «ZOTI ta ka falur mëkatin, prandaj nuk do të vdesësh, por ngaqë me këtë i nxite armiqtë e ZOTIT, djali që ka për të lindur do të vdesë». Pastaj Natani u kthye në shtëpinë e vet. ZOTI e goditi djalin, që gruaja e Urjahut i lindi Davidit, dhe ai u sëmur. Davidi iu përgjërua Perëndisë për djalin. Agjëroi dhe netët i kaloi shtrirë përdhe. Pleqtë e shtëpisë i qëndronin pranë dhe i kërkonin të ngrihej nga toka, por ai nuk pranoi dhe nuk hëngri me ta. Pas shtatë ditësh fëmija vdiq. Shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i tregonin se fëmija kishte vdekur dhe thoshin: «Kur fëmija ishte ende gjallë, i folëm e nuk na dëgjoi. Si t'i themi që fëmija ka vdekur? Ai do të bëjë edhe më keq». Davidi pa që shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe e kuptoi që fëmija kishte vdekur. Atëherë u tha shërbëtorëve: «A vdiq fëmija?». Ata i thanë: «Vdiq!». Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj dhe ndërroi petkat. Shkoi në shtëpinë e ZOTIT dhe u përkul me nderim. U kthye në shtëpi, kërkoi t'i shtronin për të ngrënë dhe hëngri. Shërbëtorët e pyetën: «Pse vepron kështu? Kur fëmija ishte ende gjallë, agjërove e vajtove. Tani që ka vdekur, ngrihesh e ha?». Ai u tha: «Për aq kohë sa ishte gjallë agjërova e vajtova se thashë: “Kush e di! Ndoshta ZOTI do të ketë mëshirë për mua dhe do ta lërë djalin të jetojë”. Por tani që ka vdekur, përse të agjëroj? A mund ta kthej mbrapsht? Unë do të shkoj tek ai, e jo ai tek unë».

2 i Samuelit 12:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: "Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër. I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë; por i varfri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij. Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t'i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur" Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë! Ai do ta paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë". Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit. Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera. Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit. Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e hiteut Uriah si bashkëshorten tënde". Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t'i marrë gratë e tua para syve të tu për t'ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën. Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit". Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë". Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur. Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë. Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta. Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thoshin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t'i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t'i shkaktojë ndonjë të keqe". Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur". Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t'i sillnin ushqim dhe hëngri. Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç'bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre". Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëroja dhe qaja, sepse thosha: "Kushedi Zotit mund t'i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj? Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!".