Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 12:1-23

2 i Samuelit 12:1-23 ALBB

Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: "Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër. I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë; por i varfri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij. Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t'i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur" Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë! Ai do ta paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë". Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit. Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera. Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit. Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e hiteut Uriah si bashkëshorten tënde". Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t'i marrë gratë e tua para syve të tu për t'ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën. Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit". Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë". Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur. Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë. Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta. Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thoshin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t'i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t'i shkaktojë ndonjë të keqe". Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur". Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t'i sillnin ushqim dhe hëngri. Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç'bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre". Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëroja dhe qaja, sepse thosha: "Kushedi Zotit mund t'i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj? Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!".

Devocione dhe Plane Leximi falas për 2 i Samuelit 12:1-23