2 i Samuelit 1:1-27
2 i Samuelit 1:1-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas vdekjes së Saulit, Davidi mundi Amalekun dhe u kthye e ndenji dy ditë në Ciklag. Ditën e tretë erdhi një njeri prej aradheve të Saulit, me rroba të shqyera dhe kokën mbuluar me dhe. Kur mbërriti te Davidi, ra përdhe dhe e nderoi. Davidi e pyeti: «Nga po vjen?». Ai i tha: «U arratisa prej fushimit të Izraelit». Atëherë Davidi i tha: «Më trego çfarë ka ndodhur». Ai iu përgjigj: «Populli ia mbathi nga beteja dhe shumë mbetën të vrarë. U vra edhe Sauli me Jonatanin, birin e tij». Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: «Nga e di se janë vrarë Sauli dhe biri i tij, Jonatani?». Djaloshi, që solli lajmin, i tha: «Isha në malin Gilboa dhe Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kur iu afruan karrocat dhe kalorësit. Ai u kthye, më pa e më thirri. E unë i thashë: “Ja ku jam!”. Ai më pyeti: “Prej nga je?”. Unë i thashë: “Jam amalekit”. Pastaj ai më tha: “Sulu e më vrit, se jam në grahmat e fundit, por ende gjallë”. Unë iu sula dhe e vrava. E dija se nuk do të jetonte më për shkak të plagëve. Ia mora kurorën që kishte mbi krye dhe mbimëngëzën që kishte në krah dhe ia solla timzoti». Atëherë Davidi kapi rrobat e i shqeu. Kështu bënë edhe tërë burrat që ishin me të. Qanë, vajtuan e agjëruan gjer në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e ZOTIT dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë prej shpatës. Pastaj Davidi i tha djaloshit që kishte sjellë lajmin: «Prej nga je?». Ai i tha: «Jam i biri i një të ardhuri amalekit». Davidi vijoi: «Si nuk pate frikë, por ngrite dorë dhe e vrave të vajosurin e ZOTIT?». Davidi thirri një nga djelmoshat e i tha: «Shko e qëlloje!». Ai i ra dhe e vrau. Davidi tha: «Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, se vetë goja jote dëshmoi kundër teje, kur the se vrave të vajosurin e ZOTIT». Atëherë Davidi lëshoi këtë vajtim për Saulin dhe birin e tij, Jonatanin, dhe urdhëroi ta mësonin bijtë e Judës. Kjo është Kënga e Harkut, shkruar në librin e të Drejtit: «Lavdia jote, o Izrael, ra theror në bjeshkë. Si ranë kështu trimat! Mos e tregoni në Gat, mos e shpallni rrugëve të Ashkelonit, se do të gëzohen bijat e filistinëve, do të ngazëllejnë bijat e të parrethprerëve. O malet e Gilboasë, mos rëntë mbi ju as vesë, as shi, mos paçi ara të begatshme. Se aty u ndy mburoja e trimave, mburoja e Saulit nuk u lye me vaj. Prej gjakut të therorisë e prej dhjamit të kreshnikëve harku i Jonatanit nuk u zmbraps, as kordha e Saulit nuk doli huq. Sauli e Jonatani ishin të dashur e të shtrenjtë, as jeta e as vdekja nuk i ndau. Më të shpejtë ishin se shqiponjat, më të fortë se luanët. O bijat e Izraelit, vajtojeni Saulin. Ai ju veshi me të kuqe të shkëlqyer, rrobat jua stolisi me ar. Si ranë trimat në mes të betejës? Jonatani ra theror në bjeshkë! U pikëllova për ty, o Jonatan, vëllai im. Sa i shtrenjtë ishe për mua! Dashuria jote për mua, më e mrekullueshme se dashuria e gruas. Si ranë kështu trimat e armët u shkatërruan!».
2 i Samuelit 1:1-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga masakra e amalekitëve dhe u ndal dy ditë në Tsiklag. Ditën e tretë arriti në kampin e Saulit një burrë me rroba të grisura dhe me kokën me dhe. Sa arriti pranë Davidit, ai ra për tokë dhe u përkul. Davidi e pyeti: "Nga vjen?". Ai iu përgjigj: "Kam ikur nga kampi i Izraelit". Davidi i tha: "Si u bë? Të lutem, më trego". Ai iu përgjigj: "Populli iku nga fusha e betejës dhe shumë njerëz ranë dhe vdiqën; edhe Sauli dhe biri i tij Jonatan kanë vdekur". Atëherë Davidi e pyeti të riun që i tregonte ngjarjen: "Si e di ti që Sauli dhe biri i tij Jonatani kanë vdekur?". I riu që i tregonte ngjarjen tha: "Ndodhesha rastësisht në malin Gilboa, kur pashë Saulin të mbështetur në shtizën e tij, ndërsa qerret dhe kalorësit e ndiqnin nga afër. Ai u kthye, më pa dhe më thirri. Unë iu përgjigja: "Ja ku jam". Ai më pyeti: "Kush je ti?". Unë iu përgjigja: "Jam një amalekit". Atëherë ai më tha: "Afrohu tek unë dhe më vrit, sepse një ankth i madh më ka pushtuar, por jeta është e tëra akoma tek unë". Kështu iu afrova atij dhe e vrava, sepse e kuptoja që ai nuk do të mund të jetonte mbas rënies së tij. Pastaj mora diademën që kishte mbi kokë dhe byzylykun që mbante në krah, dhe i solla këtu te zotëria im". Atëherë Davidi kapi rrobat e veta dhe i grisi; po kështu vepruan tërë njerëzit që ishin me të. Kështu mbajtën zi, qanë dhe agjëruan deri në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e Zotit dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë nga shpata. Pastaj Davidi e pyeti të riun që i kishte treguar ngjarjen: "Nga ç'vend je?". Ai u përgjigj: "Jam biri i një të huaji, i një amalekiti". Atëherë Davidi i tha: "Si nuk pate frikë të shtrish dorën për të vrarë të vajosurin e Zotit Pastaj thirri një nga njerëzit e tij dhe i tha: "Afrohu dhe hidhu mbi të!". Ai e goditi dhe amalekiti vdiq. Pas kësaj Davidi tha: "Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, sepse me gojën tënde ke dëshmuar kundër vetes sate, duke thënë: "Unë kam vrarë të vajosurin e Zotit"". Atëherë Davidi ia mori këtij vajtimi për Saulin dhe Jonatanin, birin e tij, dhe urdhëroi t'u mësonin bijve të Judës këngën e harkut. Ja, ajo gjendet e shkruar në librin e të Drejtit. "Madhështia e Izraelit qëndron e vrarë në lartësitë e tua! Si është e mundur që ranë trimat? Mos ia njoftoni Gathit, mos e bëni të ditur nëpër rrugët e Ashkalonit, që të mos gëzohen bijat e filistenjve, që të mos ngazëllohen bijat e të parrethprerëve. O male të Gilboas, mos rëntë më as vesa as shiu mbi ju, mos pastë as fusha ofertash; sepse aty u hodh mburoja e trimave, mburoja e Saulit, sikur ky të mos ishte i vajosur. Nga gjaku i të vrarëve, nga dhjami i trimave, harku i Jonatanit nuk u tërhoq kurrë dhe shpata e Saulit nuk u vërtit kurrë bosh. Sauli dhe Jonatani; aq të dashur dhe të përzemërt në jetë, nuk u ndanë në vdekjen e tyre. Ishin më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët. Bija të Izraelit, vajtoni Saulin që ju vishte në luks me rroba flakë të kuqe, që i zbukuronte me ar veshjet tuaja. Vallë, si ranë trimat në mes të betejës, si u vra Jonathani në lartësitë e tua? Unë jam në ankth për ty, o vëllai im Jonatan; ti ishe shumë i dashur për mua, dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme se dashuria e grave. Vallë, si ranë trimat dhe si u shkatërruan armët e luftës?".